Kulturë

Sabri Hamiti lexon kumtesën “Dëftesa letrare e kanonit fetar”

Akademik, Sabri Hamiti
Akademik, Sabri Hamiti

Akademik Sabri Hamiti ka lexuar kumtesën “Dëftesa letrare e kanonit fetar” në Konferencën “Letërsia shqipe dhe religjioni”, që po mbahet në Tiranë.

Historia e shkrimit shqip, si akt kulturor, dëshmohet me “Formulën e pagëzimit” (1462), për t’u zhvilluar në nivel të shkrimit biblik duke marrë trajtën e përkthimit, të tejshkrimit dhe të krijimit.

“Shtojca” letrare në tekstet kanonike nis si argument plotësues i doktrinës për të mbërritur shkallë-shkallë në trajtë të krijimit poetik, madje të “dëftesës” letrare.

Prandaj kodi biblik në shqip ka prodhuar një formacion letrar: letërsia filobiblike shqipe, ku lakohen tema e stile duke shfaqur dramatikën e interpretimit të krijuesit individual në formatin kanonik. Kemi në evidencë autorët: Lekë Matranga, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Jul Variboba, Nikollë Keta, Pjetër Zarishi dhe veprat e tyre në rrjedhë historike të shfaqjes.

Kodi kuranor, i shfaqur më vonë në shqip, ndjek procedime letrare të ngjashme, duke paraqitur raportin e arkitekstit me hipertekstin, duke kaluar procedimin e aktit individual përballë strukturës universale. Kemi parasysh rastin e Naim Frashërit.

Mëtesa e kërkimit është që duke u nisur nga “dëftimet” letrare si procedura të mbërrihet te rezultati që janë “dëftesat” letrare të autorëve të mëdhenj të letërsisë shqipe: Pjetër Bogdani, Naim Frashëri, Ndre  Mjedja dhe Lasgush Poradeci dhe kryeveprat e tyre letrare.

/Shqip.com