Rritja e tarifave të energjisë elektrike, LDK dhe PDK: Kuleta e qytetarit do të rëndohet

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kritikuar qeverinë për propozimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike në 40 për qind.
Dy partitë opozitare kanë thirrur njëkohësisht një konferencë për media për të folur rreth zhvillimeve të fundit për energjinë elektrike.
Besian Mustafa nga LDK, tha se Qeveria ka qenë në dijeni për krizën energjetike qysh në pranverën e vitit 2021.
“Qeveria ka qenë e njoftuar qysh në pranverën e vitit 2021 për rritjen e çmimit të energjisë dhe për hapat që duhet të ndërmarr. Gjatë verës të vitit 2021, Qeveria zgjodhi mosbesimin akuzën e linçimin në kohë të zgjedhjeve lokale për të marr ndonjë vote”, tha Mustafa.

Mustafa thekson se deri më tani janë shpenzuar 115 milionë euro, e në anën tjettër sipas tij janë refuzuar 200 milionë euro nga MCC-ja amerikane.
“Paaftësia e Qeverisë për të menaxhuar me energji elektrike deri tash i ka kushtuar qytetarit të Kosovës 20 milionë euro të ndara për KOSTT-in, 20 milionë euro të ndara për import të energjisë dhe 75 milionë euro për subvencionim të çmimit të energjisë pra gjithsej 115 milion euro deri tash pa investuar një cent të vetëm dhe duke refuzuar grantin nga SHBA për furnizim më gaz. Shtrenjtimi i energjisë elektrike dëmton rendë prodhuesit vendorë”, tha Mustafa.
Në anën tjetër, anëtari i kryesisë së PDK-së, Blerand Stavileci tha se ngritja e çmimit energjisë elektrike është njëra nga goditjet më të ashpra ndaj qytetarëve.

“Propozimi për rritjen e tarifave të energjisë pas një periudhe të rëndë ekonomike si rezultat i pandemisë, e cila po vazhdon të jetë e tillë, madje edhe më e rënduar, është njëra nga goditjet më të ashpra që po i bëhet qytetarëve të vendit tonë sot, të cilët, fatkeqësisht dhe padrejtësisht, do të përballen me pasojat e shtrenjtimit më të madh të rrymës në historinë e Kosovës. Kjo rritje do të rëndojë edhe më shumë mirëqenien sociale të qytetarëve dhe pabarazinë sociale, veçanërisht në kohën kur edhe ashtu të gjitha çmimet e produkteve primare të konsumit janë rritur dhe kjo rritje do të vazhdojë me efekte zingjirore edhe më të mëdha”, ka thënë Stavileci në një konferencë për media.
Ministria e Ekonomisë ka njoftuar se ka ndarë 75 milionë euro për subvencionimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe bizneset.
Sipas ME-së, kjo ndarje është bërë për t’u përballur me rritjen e tarifave të rrymës./Shqip.com