Rritja e rasteve me COVID-19: Haxhiu kërkon seancë të jashtëzakonshme në Kuvend

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës, që të thërrasë seancë të jashtëzakonshme për të diskutuar për situatën me pandeminë në vend.
Kërkesa e tij është bërë në kohën kur situata me COVID-19 në vend është rënduar, pasi dita ditës po shënohen rekorde të rasteve pozitive të infeksionit.
E për këtë gjendje, Haxhiu, i cili është anëtar i Komisionit për Shëndetësi, ka fajësuar Qeverinë Kurti.
“Nga data 29.03.2021 kur ka filluar vaksinimi për 5 muaj vetëm 12% të qytetarëve të Kosovës janë vaksinuar me dy dozat e vakisinës anti-COVID-19”, ka shkruar deputeti i PDK-së në profilin e tij në Facebook.
“Pa përgjegjësi totale e Qeverisë së Kosovës, përderisa Albin Kurti merret me Bulliqin e Isufin për tema aspak aktuale, Arben Vitia kandidon për Prishtinën, mjekët janë pa mbeshtetje, spitalet janë pa barna, pacientët pa mbeshtetje!”.
Sipas tij, Kosova po shkon drejt katastrofës shëndetësore, ndërsa thotë se “jemi pranë rrëzikut që sistemi shëndetësor të kolapsoj totalisht”.
“Sistemi shëndetësor mund të kolapsoj dhe vendin mund ta shpëtojmë nga katastrofa shëndetësore vetëm nëse bëhemi të gjithë bashkë për të mposhtur pandeminë”.
Haxhiu shton se Qeveria ka “dështuar në vaksinim dhe menaxhim të pandemisë”, andaj thotë se Kuvendi duhet të marrë përgjegjësinë që i takon me Kushtetutë, “për t’i shpëtuar nga katastrofa shëndetësore qytetarët e Kosovës”./SHQIP.com