Lajme

Rrëzimi i kërkesës për shfuqizimin e masës “arrest shtëpie”, Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për Berishën

Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për kryedemokratin Sali Berisha, të cilit i rrëzoi kërkesën për shfuqizimin e masës “arrest në shtëpi”.

Në vendimin e Kushtetueses theksohet se për masën “detyrim paraqitje” nuk nevojitej autorizimi i Kuvendit dhe se kjo është e nevojshme vetëm nëse masat kufizuese të vendosura ndaj kërkuesit përbëjnë kufizim/heqje të lirisë së tij personale.

“Në lidhje me këto pretendime, Gjykata vëren se në vendimin e saj nr. 81/2024, ajo ka marrë në shqyrtim edhe përmbajtjen e neneve 48-51 të ligjit nr. 95/2016, duke vlerësuar se ato nuk cenojnë parimin e pavarësisë dhe paanshmërisë në gjykim dhe se ligji përmban garanci të mjaftueshme për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve në mënyrën se si realizohet kontrolli.

Po ashtu, në vendimin e saj nr. 81/2024, Gjykata ka vlerësuar se argumenti i kërkuesit, sipas të cilit Kuvendi duhet të japë autorizimin në rastin e caktimit të masave të detyrimit për paraqitje në Policinë Gjyqësore dhe të ndalimit të daljes jashtë shtetit, nuk pajtohet me parashikimin e nenit 73 të Kushtetutës dhe autorizimi i Kuvendit është i nevojshëm vetëm nëse masat kufizuese të vendosura ndaj kërkuesit përbëjnë kufizim/heqje të lirisë së tij personale.

Në vlerësimin e saj, me vendimin nr. 81/2024, Gjykata ka evidentuar se nga GJKKO-ja e Shkallës së Parë janë marrë të gjitha masat për njoftimin kërkuesit të vendimit nr. 112/2023, i cili ka disponuar për masat e sigurimit personal të vendosura ndaj kërkuesit dhe pretendimet e tij në këtë drejtim nuk janë të bazuara”, theksohet në vendim.

/Shqip.com