Rreth 60% të viktimave të trafikimit në janë fëmijë
Policia e Kosovës njofton që 59 për qind të viktimave të trafikimit me qenie njerëzore që nga viti 2017, janë nën moshën 18 vjeçare, transmeton Shqip.com.
Kështu ka bërë të ditur shefi i sektorit qendror për hetimin e trafikimit me njerëz, Riza Murati, i cili tha se gjatë kësaj periudhe janë identifikuar 102 viktima të këtij lloji, ku 75 janë nga Kosova, nëntë nga Shqipëria dhe pjesa tjetër nga Serbia, Mali i Zi, Moldavia, Çekia e Filipinet.
“Kohëve të fundit pjesa më e madhe e tyre janë nga Kosova, ku prej 102 viktimave të identifikume që nga viti 2017, e deri më tani që po flasim, 75 janë nga Kosova, ndërsa 9 janë nga Shqipëria dhe numrit tjetër kemi të bëjmë me viktimat e identifikuara nga Serbia, Mali i Zi, ku kem pas raste viktimat moldave, Çekisë, Filipinesë, pra një numër i vogël i tyre”, ka thënë ai për KP.
“Ndërsa sa i përket moshës 59%, e tyre bëjnë pjesë nën moshën 18 vjeçare d.m.th. që kemi të bëjmë me fëmijë”, ka treguar më tej Murati.
Sipas tij, gjendja ekonomike, moskujdesi prindëror, braktisja e shkollimit janë disa nga arsyet që viktimat janë pre e trafikimeve.
Murati shtoi se viktimat zakonisht gjenden në vende jo të përshtatshme si në lokale të natës, klube të vallëzimit, në rrugë por dhe në apartamente.
“Arsyet janë nga më të ndryshmet që arrijnë të trafikohen viktimat e trafikimit, një prej arsyeve është gjendja ekonomike dhe sociale d.m.th moskujdesi i duhur prindërorë në familje, problemet në familje, braktisja e shkollimit, i vënë në një situatë të ndjeshme që ato lehtë të binë pre e mashtrimeve dhe të revoltohen me qellim të shfrytëzimit të tyre në format nga më të ndryshmet, tani po flasim kur ato viktima gjenden në vendet nga më të ndryshmet të shfrytëzimit, pjesa më e madhe e tyre gjenden në lokale të natës, klube të vallëzimit, sallone masazhi, në rrugë por edhe në vendet e tjera të apartamenteve,” ka deklaruar ai.
Murati shton se Policia e Kosovës i ofron viktimave strehim i sigurt dhe mbrojtje të identitetit. /Shqip.com