Lajme

Rreth 1 mijë afganë të strehuar në Kosovë

Afganët në Kosovë

Afër një mijë refugjatë afganë kanë arritur në Kosovë deri të hënën e 13 shtatorit, transmeton Shqip.com.

971 është numri i saktë i të ardhurve nga Afganistani në Kosovë vetëm deri në mesditën e së hënës.

Këtë e bëri të ditur shefja e kabinetit dhe këshilltare e lartë politike e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla – Jeta Tela, raporton REL.

Bëhet e ditur se 810 refugjatë janë vendosur në kampin Bechtel-Eenka në Ferizaj, kurse 161 në kampin Bondsteel, poashtu në këtë komunë.

Shtetasit afganë do të qëndrojnë në Kosovë derisa t’iu rregullohet dokumentacioni për t’u vendosur në Shtetet e Bashkuara apo në ndonjë shtet tjetër anëtar të NATO-s.

Kosova pritet të strehojë gjithsej rreth dy mijë shtetas afganë.

Më 29 gusht arriti grupi i parë i qytetarëve afganë në Kosovë, i cili përbëhej nga gjithsej 111 persona që ikën nga shteti I tyre pasi talebanët morën kontrollin. Vetëm dy ditë më pas arriti edhe grupi tjetër i afganëve.

Javë më parë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht qytetarët afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s apo edhe me organizata të huaja.

Autoritetet kosovare kanë thënë se sipas ligjeve, afganëve do t’u ofrohet strehim i përkohshëm me kohëzgjatje deri në një vit.

Mijëra afganë janë strehuar edhe në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut. /Shqip.com