Rrënohet një mbindërtim pa leje në Prishtinë

Një mbindërtim pa leje është rrënuar të mërkurën në lagjen “Dardania” në Prishtinë, njofton Shqip.com.
Përmes një postimi në Facebook, kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, tha se para disa javësh kanë urdhëruar palën që t’i ndalë menjëherë punimet dhe ta rrënojë vet pjesën e mbindërtimit, por që kjo nuk është përfillur.
“Javë më parë është evidentuar një mbindërtim pa leje në lagjen Dardania. Inspektorët e Ndërtimit e kanë urdhëruar palën që t’i ndalë menjëherë punimet ndërtimore dhe ta rrënojë vet pjesën e mbindërtimit. Vendimi dhe urdhëresat e Inspekcionit nuk janë përfillur nga ana e palës, dhe i njëjti i ka vazhduar punimet në mbindërtim”, shkroi ndër tjerash ai.
Ahmeti tha se pas shpërfilljes së këtij vendimi, Sektori i Ndërtimit nga Drejtoria e Inspekcionit ka ekzekutuar sot vendimin për rrënim duke larguar konstruksionin nga pjesa e sipërme.
“Si rrjedhojë, Sektori i Ndërtimit në kuadër të Drejtorisë së Inspekcionit ka ekzekutuar sot vendimin për rrënim duke e larguar konstruksionin nga pjesa e sipërme e ndërtesës. Kështu hapësira është kthyer në gjendjen e mëparshme” përfundoi Ahmeti./Shqip.com