Lajme

Rohde-Qeverisë Kurti: Implementojeni Asociacionin, s’jeni më Lëvizje

Jorn Rohde - Ambasador i Gjermanisë në Kosovë

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës, të implementojë Asociacionin  e Komunave me Shumicë Serbe.

“Ju i keni parë deklaratat e Gjermanisë, të vendeve të QUINT-it dhe BE-së, që ne presim të gjitha palët që të implementojnë marrëveshjet e Brukselit, që përfshijnë edhe Asociacionin. Për ne është e qartë, është pjesë e zgjidhjes, por po ashtu e kemi theksuar disa herë se asgjë nuk është dakorduar derisa çdo gjë dakordohet,” tha Rohde në Klan Kosova.

Duke folur për kundërshtimin që Lëvizja Vetëvendosje ia ka bërë me vite Asociacionit, Rohde tha se ky subjekt është në qeveri dhe nuk është një parti opozitare, apo lëvizje.

“Tani jeni qeveri, nuk jeni një parti ose lëvizje, është ‘pacta sunt servanda’ si shtet duhet t’i implementoni gjërat, për të cilat janë dakorduar nga vetë kuvendi i juaj dhe e dyta është se vendimi i Gjykatës Kushtetuese nuk ka thënë se nuk duhet të bëhet (Asociacioni), por vetëm se duhet të modifikoni ose të shtoni disa gjëra për ta harmonizuar me kushtetutën dhe kjo nuk është punë e imja, por është punë e Qeverisë së Kosovës. Fatkeqësisht pesë qeveritë paraprake nuk e kanë implementuar këtë,” tha Rohde.

Nga Qeveria vazhdimisht e kanë kundërshtuar krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përgjigja për Asociacionin është e njejta tash e nëntë vite e njëjtë.

/Shqip.com