Lajme

Rohde: Barrikadat të hiqen para Krishtlindjeve

Ambasadori gjerman në Kosovë.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde ka thënë se barrikadat e vendosur në veri të vendit duhet të largohet para krishtlindjeve.

“Qëndrimi ynë është i qartë. Ato janë të paligjshme dhe duhet të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga ata që i kanë vendosur. KFOR-i është aty dhe ai ofron një ambient të sigurt dhe lëvizje të lirë. Kështu që jam optimist që do të realizohet shpresoj sa më parë që të mundet, sepse e fundit që na duhet është një përshkallëzim i mëtejmë i situatës. Qeveria e Kosovës e ka depërshkallëzuar situatën. Keni barrikada bllokuese dhe nuk mund të lëvizni aq. Ka njerëz në veri dhe do të nënvizoja që ata po vuajnë më së shumti dhe janë bërë një top goditjeje nga politika. Kështu që, tash sidomos, meqë po vijnë Krishtlindjet, këto barrikada duhet hequr sa më parë që të jetë e mundur” ka deklaruar Rohde në KTV.

Rohde ka thënë se kërkesa e Vuçiqit për KFOR-in është absurde.

“Siç e dini, ministrja ime e ka thënë qartë, është kërkesë e papranueshme. Është thënë thjesht: një kërkesë absurde. Kemi Rezolutën 1244. Janë disa paragrafë që ishin aplikuar në gjendjen e atëhershme. Për ne si Gjermani dhe të gjitha ato vende që e kanë njohur Kosovën e pavarur, ne e njohim Kosovën si vend të pavarur. Është e paimagjinueshme që në një vend të pavarur ne do të bënim diçka kundër dëshirës së një vendi të pavarur. Prandaj e konsiderojmë atë kërkesë të papranueshme. Po. Ky është qëndrimi ynë i qartë, nuk është vetëm qëndrim i yni. Mendoj se edhe SHBA-ja ka një qëndrim të ngjashëm”, ka thënë ai.

Sot u bënë dhjetë ditë që nga vendosja e barrikadave në veri të Kosovës.

Në këtë gjendje gjeopolitike të Kosovës, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar kanë qenë në Kosovë ku janë takuar me krerët e shtetit.

Lajçak ka thënë se tensionet nuk i ndihmojnë askujt, ndërsa Escobar ka thënë që pret të implementimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Pas takimit me krerët e Qeverisë së Kosovës, ndërkombëtarët kanë qëndruar  edhe në Serbi për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në mes dy vendeve.

Vlen të theksohet se tek barrikadat në veri të Kosovës, ka edhe persona të armatosur.

Gjatë ditës së djeshme disa serbë nga Mali i Zi, dhe Serbia kanë tentuar që të hyjnë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje, por që janë penguar nga policia serbe.

/Shqip.com