Rizvanolli: Po punojmë për gjetjen e zgjidhjes për mospagesën e rrymës në veri

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka deklaruar se janë duke punuar për gjetjen e zgjidhjes për mospagesën e rrymës në veri, përcjell Shqip.com.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku po debatohet për shtrenjtimin e energjisë elektrike, Rizvanolli fajësoi opozitën për këtë vendim.
“Për pagesën në veri jemi duke u mundur që ta zgjidhim çështjen përkundër një marrëveshje jo shumë të mirë që na keni lënë”, tha ajo.
Tutje, teksa foli për rritjen e çmimit të energjisë ajo shtoi se subvencioni nga ana e Qeverisë ia ul përfitimin KEDS-it dhe KESCO-s.
“Ne kemi ofruar 75 milionë euro subvencion që i bie pak më shumë se gjysma e kërkesës së bërë nga ZRrE-ja. Asnjë cent i subvencionit nuk shkon në xhepat e KEDS e KESCO. Duke bërë subvencionin KEDS dhe KESCO-s i ulet profiti sepse nga subvencioni s’mund të kenë fitim”, deklaroi ajo.
Po ashtu, ministrja e Ekonomisë theksoi se Qeveria nuk i propozon dhe nuk i miraton tarifat e bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.
“Qeveria as nuk propozon as nuk miraton as tarifat e as raportet e as vendimet e bordit të ZRrE-së, i cili është institucion i pavarur. Komentet do t’i adresojmë siç parashihet me ligj dhe ju ftojmë edhe juve për komentet që i keni.
Përmes instrumenteve që i kemi, do të ju dalim në ndihmë qytetarëve sidomos atyre që e racionalizojmë rrymën”, shtoi Rizvanolli./SHQIP.com