Lajme

Rivarrosen në Rezallë eshtrat e të gjeturve në Kizhevak të Serbisë

Arkivolet e të masakruarve në Rezallë

Janë rivarrosur eshtrat e nëntë martirëve të masakrës së Rezallës, të cilët janë gjetur në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë.

Ceremonia e rivarrimit është bërë të shtunën, në Kompleksin e varrezave të martirëve në Rezallë.

Në këtë ceremoni përveç familjarëve kanë marrë pjesë edhe kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari.

Kurti u shpreh se gjetja e eshtrave të këtyre viktimave dhe rivarrimi i tyre në Kosovë, janë dëshmi e gjenocidit që ka bërë Serbia në Kosovë.

Ai premtoi se nuk do të ndalen derisa drejtësia të gjejë vendin e vet.

“Sot 22 vjet e gjysmë pas ditës së kobshme viktimat po kthehen për të pushuar në tokën e tyre. Këto varre këtu janë e vërteta, dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”, tha shefi i qeverisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ndërsa, kryetari Jashari, Masakrën e Rezallës e cilësoi si një nga më të pamëshirshmet të kryer nga policia dhe ushtria serbe.

Tha se “këto masakra dhe këto arkivole janë arkiva e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit”.

Sipas tij, drejtësia ndërkombëtarë duhet të merret me kryesit e krimeve të luftës që gjenden ende në liri.

“Këta u vranë në njërën nga masakrat më të pamëshirshmet nga policia dhe ushtria serbe. Për të qenë dëshmitar disa ditë më vonë bënë krimin e dytë, lanë familjarët në ankth tash e disa vite”.

“Këto masakra, këto arkivole janë arkiva, e cila dëshmon vazhdimisht se kush ishin vrasësit. Fatkeqësisht edhe pas kaq shumë vitesh kriminelët e kësaj masakre nuk kanë dalë para drejtësisë ata ende enden të lirë pa u ndëshkuar”, tha Jashari.

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari

Në fund të fjalimit kryetari Jashari ndau mirënjohje për mjekun ligjor, Arsim Gërxhaliu, “për kontributin e dhënë në identifikim dhe rivarrimin e viktimave nga lufta e fundit në Kosovë”.

Kujtojmë se, arkivolet e viktimave të masakrës së Rezallës kanë arritur në Kosovë më 30 shtator.

Riatdhesimi i këtyre trupave është realizuar me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës, Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq./SHQIP.com