Rozë

Rita Ora mbërriti dje në Tiranë, ajo takoi studentët e Liceut Artistik: Mos hiqni dorë nga ëndrrat tuaja!

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, e cila është rritur në Londër ka arritur dje në Tiranë për të mbajtur koncertin e shumëpërfolur më 6 shtator.

E shoqëruar edhe nga nëna e saj, Vera Ora, dhe kryebashkiaku Erion Veliaj, Rita Ora ndau me të rinjtë detaje për koncertin e madh të 6 Shtatorit, por ndërkaq u shpreh e surprizuar me ndryshimet që ka pësuar qyteti i Tiranës.

“Ky qytet është rritur shumë! Ju çuna dhe goca jeni me shumë fat për këtë kryebashkiak. Është shumë “cool” dhe i përditësuar me kulturën, rininë, vlerat. E shoh çdo vit rritjen e qytetin dhe jam e surprizuar”, tha Rita Ora.

Tutje, Rita iu drejtua të rinjëve që t’i ndjekin ëndrrat e tyre të mos heqin dorë nga to.

“Çfarë doni të bëni në jetë? Doni të bëni familjen tuaj të lumtur? Doni të bëni veten tuaj të lumtur apo doni të këndoni? Doni të bëni shumë para? Cila është ëndrra juaj? Gjithmonë duhet të vijë nga brenda. Kur ju rriteni takoni njerëz dhe disa njerëz ju inspirojnë të bëni diçka tjetër disa të tjerë ju thonë që ju nuk mund ta bëni atë dhe kjo mund t’ju bëjë të humbni besimin dhe disa të tjerë do të thonë ohh edhe unë do ta bëj atë. Duhet të fokusoheni dhe mos të dëgjoni çka thonë njerëzit e tjerë. Ata nuk do ta ndjejnë dhe nuk do t’ju besojë, prandaj do të jetë shumë e vështirë jo të bindni veten, por t’i provoni të gjithë të tjerëve që ata janë gabim dhe kjo më ka bërë mu të vazhdoj përpara. Unë isha 18, 19, 20 kur e fillova këtë dhe jam shumë me fat që akoma po e bëj këtë sepse ndonjëherë është e frikshme, njerëzit kanë karriera fantastike dhe thjesht e mbyllin, dhe ti je shumë e re … Unë e dua muzikën, por un e mendoj edhe si biznes. Unë mendoj si mund ta bëj këtë biznes afatgjatë? Kur unë të jem 50 ose 60 unë do të tërhiqem, unë mund të ndihmoj familjen time fëmijët e mi ose mund t’ ju inspiroj juve. Unë mendoj që të përdorni instinktin edhe të jeni të shkathët dhe bëhuni të guximshëm dhe me vetëbesim sepse unë mendoj që ne jemi kreativë dhe asnjë nuk do ta kuptojë kreativitetin tonë. Duhet të jemi të durueshëm”, tha Rita Ora.

Ndërkohë, Veliaj shprehu mirënjohjen që Rita Ora pranoi të mbante një koncert falas në Tiranë, me rastin e Kryeqytetit Evropian të Rinisë. Por, nga ana tjetër, në një bashkëbisedim me Vera Orën, nënën e këngëtares shqiptare, Veliaj preku edhe ngjarjen e fundit në Prishtinë, atë të dhunimit të vajzës 11 vjeçare.

“Në Prishtinë ka ndodhur një ngjarje shumë e rëndë, e cila ka të bëjë me marrëdhëniet që ne kemi në shoqëri, me mënyrën si dhe sa i respektojmë vajzat dhe gratë. Për mua, Vera ka qenë një hero sepse ka këmbëngulur për emancipimin e shoqërisë sonë, se duhet të mësojmë disa parime shume të rëndësishme për respektin ndaj njëri-tjetrit, se burrat dhe gratë janë njësoj, vajzat dhe djemtë janë njësoj, sepse çdo gjë që mund ta bëjë një djalë, mund ta bëjë edhe një vajzë, çdo sukses që mund ta ketë një djalë, mund ta ketë edhe një vajzë. Këto mesazhe që japin njerëz si Vera, bëhen që në shoqërinë tonë të mos ndodhin krime apo ngjarje të tilla”, tha Veliaj.

Kurse Vera Ora tha se ngjarja e javës së kaluar ishte tepër e rëndë dhe apeloi për më shumë respekt për njëri-tjetrin si shoqëri. “Respektoni njëri-tjetrin; është shumë e rëndësishme ta dini vlerën tuaj. Meshkujt duhet të tregojnë më shumë respekt ndaj vajzave. Ndaj dua t’ju lë një mesazh: ‘Bisedojini me prindërit apo me njëri-tjetrin çdo problem që keni dhe kërkoni ndihmë nëse keni nevojë’”, tha ajo.

Rita po ashtu zbuloi se në vitin 2023 do të sjellë albumin e ri si dhe do të jetë pjesë e një filmi, por pa zbuluar detaje rreth filmit.

Kujtojmë se para pak ditësh Rita i ka dhënë fund beqarisë duke u martuar me regjisorin nga Zelanda e Re, Taika Waititi.

Nesër ajo do të performojë në sheshin Skënderbej, në një koncert falas./Shqip.com