Rikthimi i Lirisë në Superligë – mision i Granit Begollit

Synimi i Lirisë është i njëjtë që nga viti 2019: rikthimi në Superligë.
Për t’i prirë skuadrës në këtë rrugëtim, timonin e mori Granit Begolli – në afatin kalimtar të janarit.
Trajneri prishtinas, paraprakisht e kishte drejtuar Vëllaznimin – me të cilët i ndau rrugët në mes të sezonit – për shkak të gjendjes financiare, ani pse rezultatet pozitive nuk i munguan.
Në një intervistë për Shqip.com, ai tregoi për ambiciet me prizrenasit dhe situatën aktuale që po kalon klubi.

“Sigurisht që objektivi që nga fillimi ka qenë vendi i dytë në kampionat, pasi që konkurrenca është mjaft e fortë dhe ka skuadra shumë cilësore në grupin tonë. Nëse arrijmë deri në fund të ruajmë vendin e dytë – Liria do e kërkoj Superligën përmes ndeshjeve të barazhit”.
Teksa, tha se në disa ndeshje i ka munguar fati.
“Jam i kënaqur si kanë rrjedhë ngjarjet në kampionat, por me pak fat kemi mundur të kemi disa pikë më shumë – sepse kemi zhvilluar ndeshje të mira. Jam i kënaqur me performancën që ka treguar skuadra deri në këtë moment”.
Ai po ashtu shtoi se “janë disa ekipe mjaftë të forta që kemi diferencë të ngushtë të pikëve. Mendoj që deri në fund – për vendin e dytë do të luftojnë edhe Vëllaznimi me Phoenixin”.

Për fund, Begolli tregoi që është një privilegj i madh për ta drejtuar një skuadër me traditë si Liria, teksa bëri thirrje tifozëve që ta përkrahin skuadrën edhe më shumë.
“Për mua si trajner i ri – pas Vëllaznimit ta drejtoj një tjetër skuadër të madhe – në futbollin kosovar është një privilegj mjaft i madh. Por, është edhe përgjegjësi e madhe sepse dihet që Liria kërkon gjithmonë rezultate pozitive, pavarësisht kundërshtarit. Rikthimi i tifozëve e ka ndihmuar shumë skuadrën tonë dhe mendoj që kemi zhvillu futboll të bukur. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të ketë akoma njerëz në stadium, sepse do jetë një ndihmë e madhe për ekipin”.
Me ardhjen e Begollit ka ndryshuar qasja
Për formën aktuale të Lirisë dhe synimet, për Shqip.com ka folur edhe sulmuesi i bardhezinjëve Liridon Fetahaj.
Majtaku fillimisht tha se “me ardhjen e trajnerit Begolli ka ndryshuar qasja në ndeshje, jemi më serioz dhe me kërkues dhe hyjmë për fitore në çdo takim”.

Ish-futbollsti i Ballkanit – beson që skuadra e tij ka cilësitë e mjaftueshme që të luaj elitën e futbollit kosovar.
“Qëllimi i Lirisë është të bëj maksimumin në këtë sezon që të shkojmë në barazh dhe besoj që mund të ia dalim. Duke u bazuar në cilësinë që ka ekipi dhe pastaj me ardhjen e presidentit të ri, Rahman Kice – do të na ndihmojë shumë si motiv shtesë për inkuadrim në Superligë”.
Edhe Fetahaj është i mendimit se rikthimi i publikut – ka qenë një “armë” e fortë për skuadrën.
“Na ka munguar publiku, por është një publik që e kupton futbollin dhe me kthimin e rezultateve pozitive janë rikthyer edhe ata – gjë që po na ndihmon shumë në ndeshjet si vendas”.

Liria aktualisht gjendet në vendin e dytë të Ligës së Parë, Grupi A, me 35 pikë të grumbulluara.
Katër më shumë se Phoenix i vendit të tretë dhe 12-të më pak se Trepça 89 që është lidere.
Nëse e ruajnë pozitën aktuale deri në përfundim të kampionatit – atëherë do luajnë në barazh me vendin e dytë të Grupit B, dhe nëse triumfojnë do takohen me skuadrën që mbetet në pozitën e tetë në Superligë./Shqip.com
