Lajme

Reuten: Një hap i vogël për Bashkimin Evropian, një hap gjigant për Kosovën

Raportuesi për Parlamentin Evropian, Thijs Reuten
Raportuesi për Parlamentin Evropian, Thijs Reuten

Seanca plenare e Parlamentit Evropian miratoi marrëveshjen që do t’i lejojë qytetarët kosovarë të hyjnë pa viza në zonën Shengen, më së voni më 1 janar të vitit 2024. Për raportuesin e S&D, ky është një gur themeli i ri për vazhdimin e stabilizimit në rajonin e Ballkanit.

Një hap i vogël për Bashkimin Evropian, një hap gjigant për Kosovën. Edhe nëse kushtet për të arritur atje janë në tavolinë prej vitesh, duke i turpëruar institucionet e BE-së, liberalizimi i vizave për Kosovën do të bëhet së shpejti realitet falë dritës jeshile të Parlamentit Evropian. Pas votimit në seancën plenare, edhe qytetarët e shtetit të fundit evropian – përveç Rusisë dhe Bjellorusisë – do të mund të hyjnë në BE dhe zonën Shengen vetëm me pasaportat e tyre. “Kjo është hapja e një kapitulli të ri në marrëdhëniet tona”, konfirmoi në një intervistë për Eunews, raportuesi për Parlamentin Evropian, Thijs Reuten.

Pas disa muajsh, të njëjtat rregulla do të zbatohen për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi – për të pasur akses në zonën ku janë hequr kufijtë e brendshëm: nuk ka nevojë të aplikoni për një vizë për qëndrime të shkurtra (90 ditë në çdo periudhë 180-ditore). Ajo që konsiderohet pothuajse e mirëqenë nga qytetarët e BE-së do të bëhet realitet edhe për qytetarët kosovarë, duke iu afruar vetëdijes për të qenë pjesë e “të njëjtit kontinent, të njëjtës familje, të njëjtës trashëgimi, të njëjtës histori”, shpreson eurodeputeti holandez.

Pse është kaq kuptimplotë miratimi i liberalizimit të vizave për Kosovën?

“Miratimi përfundimtar i liberalizimit të vizave për Kosovën në seancën plenare të Parlamentit Evropian do të thotë se ne e kemi përfunduar procesin legjislativ dhe ceremoninë e nënshkrimit mund ta mbajmë nesër, më 19 prill. Vetëkuptohet se është vonuar shumë, sepse Kosova ka i plotëson kriteret prej shumë vitesh. Është një përparim historik, duke pasur parasysh se qytetarët kosovarë që nuk kanë qasje as në pasaportë shqiptare dhe as serbe, nuk mund të udhëtojnë lehtësisht në pjesën tjetër të Evropës. Dhe gjithashtu ka një vlerë simbolike. Për mua ky është fillimi i një epoke të re, sepse më në fund Kosova do t’i bashkohet të gjitha vendeve të tjera pa viza”.

Kur do të hyjë në fuqi?

“Më së voni më 1 janar 2024 do të ketë udhëtim pa viza për qytetarët kosovarë. Do të kisha dashur një datë më të hershme, por kjo lidhet me hyrjen në fuqi të Etias [Sistemi Evropian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit], që është shtyrë shumë herë. Ajo supozohej të ishte tashmë aktive, sipas planit fillestar. Nëse ndodh një mrekulli dhe sistemi do të funksionojë më parë, teorikisht liberalizimi i vizave për Kosovën mund të fillojë më herët. Por le të përqendrohemi në 1 janar 2024″.

Çfarë do të ndryshojë atëherë për qytetarët kosovarë?

“Që ata mund të vendosin të udhëtojnë lirshëm në Bashkimin Evropian. Ata ende duhet të tregojnë pasaportën e tyre, kur hyjnë në BE ose në zonën Shengen, si shumë njerëz të tjerë nga e gjithë bota. Megjithatë, ata nuk do të duhet të mendojnë më për të marrë një vizë. Sa herë të duhet të kalosh këtë proces, të vjen si të bësh një provim, megjithëse je i sigurt që i plotëson të gjitha kushtet. Ne, qytetarët e BE-së, jemi mësuar të udhëtojmë lehtësisht kudo ku me pasaportën tonë kombëtare duhet të marrim vizë për shumë pak vende. Por për qytetarët kosovarë nuk ishte kështu”.

Pse u desh kaq shumë?

“Mendoj se na mori kaq shumë kohë për arsye politike në Këshill. Disa qeveri e përdorën këtë dosje të fundit evropiane në pritje në serinë e liberalizimit të vizave në debatet e brendshme politike. Kjo nuk është mirë, sepse gjithmonë vijnë zgjedhje diku ose arsye politike për të shtyrë një vendim. Është shumë e thjeshtë: nëse vendosim rregulla dhe kushte – dhe një vend i plotëson të gjitha ato – ne duhet t’i ofrojmë. Fatkeqësisht, Bashkimi Evropian ka një traditë që jo gjithmonë të japë rezultat edhe kur plotësohen kushtet. Kjo është diçka që minon besimin në proces, si në rastin e liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se qytetarët kosovarë ishin më të lidhur me Evropën kur ishin pjesë e Jugosllavisë.

“Kosova mbeti kaq shumë prapa, ishte vendi i fundit evropian pa liberalizim të vizave. Edhe Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi e kanë marrë shumë kohë më parë. Qytetarët kosovarë u lanë anash, duke rezultuar në situatën që ata ndiheshin më pak të lirë ose më pak të përfshirë, krahasuar me kohën kur ishin pjesë e ish-Jugosllavisë. Sa më shumë që mendoni për këtë, aq më qesharake bëhet situata. Sido që të jetë, Kosova e mbajti besimin në proces dhe tani gjithçka është pas nesh”.

Si ishte qëndrimi i grupeve politike në Parlamentin Evropian?

“Në Parlamentin Evropian asnjëherë nuk ka pasur problem, dhe ne kemi qenë gjithmonë bashkë-ligjvënës që shtyjmë për liberalizimin e vizave. Kur Kosova i përmbushi të gjitha kushtet më shumë se katër vjet më parë, bazuar në raportin e Komisionit Evropian, ne shtymë që të ecim përpara me një shumicë të madhe. Në Këshill, kur presidenca çeke pa një dritare mundësish vitin e kaluar, më në fund mund të arrinim një marrëveshje falë të gjitha qeverive të BE-së, sepse lëvizja e Kosovës nga një listë në tjetrën nuk ishte një çështje shumë e komplikuar në aspektin teknik”.

Megjithatë, pesë shtete anëtare të BE-së ende nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

“Spanja, Greqia, Qiproja, Rumania dhe Sllovakia kanë pasur rrugë të ndryshme në qëndrimin e tyre për mosnjohje të Kosovës, por shpresoj që të gjithë të angazhohen në këtë debat. Unë me të vërtetë po mbështet te ata për të vlerësuar situatën: kjo nuk duhet të ndodhë javën e ardhshme ose muajin tjetër, por ka nevojë për një lloj ndryshimi. Mendoj se do të ishte krejt e palogjikshme, nëse këto pesë vende nuk do të shfaqin së paku gatishmërinë e tyre për të ecur në drejtim të njohjes së Kosovës. Në veçanti duke marrë parasysh drejtimin që BE-ja po merr për marrëveshjen e normalizimit, që ne duam të jetë e detyrueshme dhe e zbatueshme”.

E keni fjalën për marrëveshjet e arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në periudhën shkurt-mars.

“Po, shoh një situatë që shkon drejt njohjes. Sepse marrëveshja përfshin njohjen e dokumenteve të udhëtimit dhe simboleve të Kosovës, mos kundërshtimin e Serbisë ndaj anëtarësimit të Prishtinës në organizatat ndërkombëtare, si dhe mos inkurajimin e të tjerëve për bllokim. Jam i bindur se do të ketë lajme të mira në muajt e ardhshëm, falë kësaj marrëveshjeje: do të ngrihet një komitet zbatues, po zhvillohen bisedime shumë të rëndësishme, për shembull ai për personat e zhdukur. Me hapa të vegjël po ecim”.

Është diskutuar shumë për faktin se marrëveshja nuk është nënshkruar. Në të njëjtën kohë, BE-ja po përdor levën financiare si një mjet bindjeje për zbatimin.

“Nëse kjo marrëveshje nuk do të zbatohet, do të ketë pasoja të rënda. Duhet të jemi të rreptë dhe të shtojmë lojën tonë. Për shkak se tani kemi një marrëveshje detyruese, unë mendoj se HRVP Josep Borrell bëri një punë të shkëlqyer. Nuk ka diskutim për nënshkrimin, vëmendja në Serbi dhe Kosovë duhet të jetë vetëm te zbatimi, sepse atë që është rënë dakord do ta vendosim në kuadër të proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE”.

A ka implikime të veçanta për Serbinë?

“Të dyja vendet duhet ta zbatojnë marrëveshjen sa më shpejt që të jetë e mundur, natyrisht. Megjithatë, ne e pamë Kosovën duke negociuar në një mënyrë të ashpër, por me mirëbesim, ndërsa në anën tjetër presidenti serb [Aleksandar Vuçiq] dëshiron të krijojë një lloj pasigurie brenda dhe rreth procesit. Për më tepër, ne kemi një komisioner hungarez [për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi, i cili nuk po i shërben interesave të Bashkimit Evropian, që do të thotë t’i afrojë të gjitha vendet kandidate me Bashkimin Evropian, në baza të barabarta dhe të matur me të njëjtat standarde të larta. Vetëm disa javë më parë, një ditë pasi Vuçiq u kthye në Beograd duke thënë se nuk do ta nënshkruante marrëveshjen, ai mori 600 milionë euro nga BE-ja, granti më i madh i dhënë ndonjëherë Serbisë. Për këtë sinjal të gabuar, unë i bëra një pyetje me shkrim Komisionit Evropian për këtë”.

Çfarë duhet t’i kërkojë BE-ja Serbisë?

“Edhe unë jam mik i Serbisë, dua që edhe ky vend të anëtarësohet në BE, por duhet të jemi të qartë për kushtet: demokracinë, strukturat e paanshme politike, sundimin e ligjit. Dhe anëtarësimi në BE nuk mund të arrihet, nëse Serbia përfshihet në të gjitha llojet e veprimeve destabilizuese nga Mali i Zi në Bosnje-Hercegovinë dhe përballet me rrëshqitje demokratike. Nëse ne mund të gjejmë rrugën për ta bërë pranimin e saj të suksesshëm, si shteti dhe ekonomia më e madhe Serbia mund të udhëheqë të gjithë rajonin drejt anëtarësimit në familjen e BE-së”.

Intervista e dhënë për Euro News Italia

/Shqip.com