Kulturë

Restaurohet vepra “Kryeengjëlli Mikael”

“Kryeengjëlli Mikael”
“Kryeengjëlli Mikael”

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, solli sot një album fotografik që tregon në detaje punën e kryer mbi njërën prej ikonave, pjesë të fondit të Muzeut Mesjetar.

“Kryeengjëlli Mikael” është kthyer në simbolin e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë”, shkruan ministrja Margariti.

Ikona është një vepër e shek. XIV, e cila i është nënshtruar ndërhyrjes nga specialistët e Laboratorit të Restaurimit dhe Konservimit, pranë MKAM.

Pas një ekzaminimi të hollësishëm, u krye konsolidimi i shtresës së grundit, në disa pjesë të pikturës. Specialistët u kujdesën që ta fotografojnë atë me cilësi maksimale dhe në teknikën e RTI, duke kryer kështu edhe procesin e dokumentimit të kësaj vepre të rrallë.

Ikona “Kryeengjëlli Mikael” vjen nga Opari i Korçës.

Në panelin e madh paraqitet kryeengjëlli, me krahë, si mbrojtësi i kishave bizantine. Vepra është e një cilësie të lartë artistike. Ky tip ikonografik i takon periudhës të Paleologëve.

Kryeengjëlli paraqitet në pamje frontale me shpatën në dorën e djathtë dhe globin në të majtën. Ka veshje luftarake dhe tunikë të kuqe. Pjesët e mishta janë modeluar me kafe të lehtë dhe dritat finale pas një sërë tonesh të buta janë realizuar me të bardhe. Sfondi i argjendtë është tipik i shkollës maqedonase.

/Shqip.com