Lajme

REL: “Black out”-i energjetik preku Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnje Hercegovinën dhe Kroacinë

Shqipëria, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Kroacia janë përballur me ndërprerje të energjisë elektrike më 21 qershor.

Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST) në Shqipëri tha se shkaktarët e ndërprerjes së rrymës kanë qenë volumet e larta të transmetimit dhe temperaturat ekstreme, që kanë shkaktuar defekte në linjën e interkoneksionit me Greqinë.

“Defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin”, tha OST përmes një njoftimi duke shtuar se po merren masa për rikthimin e energjisë elektrike për të gjithë konsumatorët.

Sistemi për shpërndarjen e rrymës në Mal të Zi njoftoi përmes një postimi në Facebook se ka ndërprerje të energjisë elektrike dhe se pothuajse i tërë vendi është pa rrymë.

Ndërkaq, drejtori i Kompanisë së Energjisë Elektrike në Republikën Sërpska, Luka Petroviq, i tha Radios Evropa e Lirë se arsyeja e ndërprerjes së rrymës në pothuajse tërë territorin e Bosnjës është për shkak të një “problemi në rrjetin e energjisë në Mal të Zi”. Autoritetet në Republikën Sërpska thanë se presin që situata me energji të stabilizohet shpejt.

Edhe Kroacia njoftoi se disa pjesë të vendit janë përballur me ndërprerje të rrymës, përderisa autoritetet kroate, së bashku me homologët e tyre në shtetet fqinje, thanë se po analizojnë shkakun e ndërprerjes së rrymës.

Nga Kompania e Furnizimit me Energji Elektrike të Kosovës (KESCO) kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se nuk ka probleme me furnizim me energji elektrike në Kosovë. Probleme me rrymë nuk janë raportuar as në Serbi dhe Maqedoni të Veriut./REL

/Shqip.com