Lajme

“Reformë e re ligjore për kontrollin dhe zhvillimin e territorit”, Rama: Adresim i tolerancës ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit

Kryeministri Edi Rama tha përmes një postimi në platformën X se kanë nisur punën për një reformë të re ligjore të kontrollit të zhvillimit të territorit.

Ai shprehet se nuk do të ketë tolerancë për personat që veprojnë në kurriz të komunitetit.

Inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, theksoi kryeministri.

Veç territorit, do të ketë reforma të reja për shërbimin me ujë të pijshëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, tha Rama.

Rama: Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtarë të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit, për të cilën kemi nisur nga puna paralelisht me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pijshëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.

Prej disa ditësh ka nisur aksioni për lirimin e hapësirave publike në disa qytete të vendit.

Kryeministri Edi Rama u ka dhënë ultimatum bashkive që të lirojnë hapësirat publike të zaptuara nga bizneset apo individët.

Ky aksion po zhvillohet kryesisht në Tiranë, Durrës, Fier, Vlorë dhe Shkodër.

/Shqip.com