Reduktime edhe në Teatrin Kombëtar, salla e mbushur me publik por anulohet shfaqja

Mbrëmjen e së mërkurës reduktime të rrymës pati edhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, përcjell Shqip.com.
Aktori, Kushtrim Sheremeti, tha se rryma është ndalur në orën 20:00, në kohën kur po fillonte shfaqja – për të cilën salla ishte plot me publik.
Përmes një postimi në Twitter, Sheremeti tha se për furnizim me rrymë nuk kanë mundur ta fusin në funksion as gjeneratorin, pasi që “nuk punon që 2-3 vjet”.
“KEDS e ndalë rrymën fiks në ora 20:00 në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Teatrit Kombëtar nuk i punon gjeneratori që 2-3 vjet dhe si pasojë anulohet shfaqja Lela & Co, ndërsa salla ishte plotë me publik”, shkroi Sheremeti.
#KEDS e ndal rrymen fiks ne ora 20:00 ne Teatrin Kombetar te Kosoves, Teatrit Kombetar nuk i punon gjeneratori qe 2-3 vjet dhe si pasoje anulohet shfaqja Lela & Co ndersa salla ishte plot me publik #KosoveDjepLirie
— Kushtrim Sheremeti (@ksheremeti) December 22, 2021
Ndërkaq, Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike ka njoftuar të mërkurën se gjatë ditëve do të ketë reduktime të energjisë elektrike.
Sipas njoftimit, reduktimet do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë.
KEDS-i thotë se kjo bëhet për shkak se gjatë ditëve të fundit, sistemi elektroenergjetik i vendit është mbingarkuar tej mase.
“Të njëjtën kohë, duke u ballafaquar me krizën më të rëndë elektroenergjetike botërore, Operatori i Tregut-KOSTT, duke u bazuar në ligjet në fuqi, ka udhëzuar që të fillohet me kufizime të energjisë elektrike.
Këto kufizime do të jenë rreth dy orë dhe do të prekin të gjithë konsumatorët në kohë të ndryshme, përveç atyre emergjentë”, thuhej në komunikatën për media./SHQIP.com