Sport Ndërkombëtar

Real i dërgon mesazh City-t, me të cilin do ndeshet në çerekfinale

Në Nyon të Zvicrës është hedhur shorti për fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, aty ku si çdo vit edhe kësaj radhe befasitë nuk munguan.

Ndeshja më e fortë e kësaj faze padyshim pritet të jetë ajo mes 14 herë kampionit të kësaj gare Real Madridit dhe kampionit në fuqi Manchester City.

Në klubin madrilen kishin preferuar që të përballeshin me një rival tjetër, por ata e dinë se nëse duantë fitojnë Ligën e Kampionëve, duhet të jenë në gjendje të mposhtin çdo kundërshtar, raporton mediumi spanjoll Defensa Central.

“Është më e keqja që mund të na ndodhë, por kështu rritemi si ekip”, ka qenë mesazhi i transmetuar nga dhoma e zhveshjes së Real Madridit pas shortit.

Ata e konsiderojnë këtë ndeshje si një finale të hershme me dy përballje.

Në përballje të tilla si kjo është e vështirë të gjesh një favorit të qartë sepse të dy ekipet kanë në përbërje futbollistë të nivelit shumë të lartë. Man City, duke qenë kampion në fuqi i Ligës së Kampionëve ka një avantazh të lehtë.

Megjithatë, duhet të merret parasysh konteksti i dy skuadrave.

Manchester City është ende ‘gjallë’ në FA Cup, dhe duhet të konkurrojë në Ligën Premier me Arsenalin dhe Liverpoolin, të cilët janë vetëm 1 pikë përpara tyre.

/Shqip.com