Reagon zyra e presidentes, fton organet e drejtësisë të hetojnë rastin me prioritet

Në një video të postuar në rrjetin Facebook, nga qytetarja, Kaltrinë Zeneli, shfaqen pamje të rënda, ku shihet një e moshuar duke u keqtrajtuar fizikisht nga një infermiere e Shtëpisë së të Moshuarve në Pejë.
Lidhur me këtë rast ka ardhur edhe reagimi nga Zyra e Presidentes.
Në reagimin e zyrës thuhet se dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet.
“Dhuna është e papranueshme pavarësisht ndaj kujt drejtohet. T`i bësh cak dhune të moshuarit është krim i dyfishtë. Ata janë pjesa më e ndjeshme e shoqërisë, kontributi i tyre është themeli jonë. Akti i sotëm i dhunës ndaj një të moshuarës është tronditës, i papranueshëm dhe i pa tolerueshëm, ndaj Zyra e Presidentes e dënon fuqishëm. Mekanizmat kompetent duhet t’i forcojnë dhe mbikëqyrin kriteret e përzgjedhjes, në mënyrë që atyre që u besohet trajtimi i fëmijëve, grave dhe të moshuarve të kalojnë nëpër filtra të ashpra të rekrutimit” thuhet fillimisht në reagim.
Po ashtu është bërë e ditur se Zyra e Presidentes fton organet e drejtësisë që këtë rast ta trajtojnë me prioritet ngase akte të tilla janë të pa tolerueshme dhe të dënueshme.
Me 22 korrik, Bordi Drejtues i Shtëpisë së të Moshuarve kishte marrë vendim që punëtorëve të kësaj qendre tu ndalohet përdorimi i telefonit.
Vendimi vlente për infermierët, kuzhinierët dhe pastruesit dhe paralajmëroheshin masa disiplinore në rast mos-respektimi.
Burime të Shqip.com bëjnë të ditur se e moshuar që është sulmuar në Pejë është nëna e dëshmorit nga Gjakova, Taulant Nura.
Në një përgjigje për Shqip.com, Fadil Gashi-zëdhënës në rajonin e Pejës ka thënë se rasti në fjalë ka ndodhur pesë ditë më parë.
Më tutje, Gashi, ka bërë të ditur se me urdhër të Prokurorit, personat e dyshuar janë ndaluar për 48 orë.
Lidhur më këtë rast, Rezidenca për të moshuarit në Pejë “Orenda”, ka suspenduar katër infermiere për rastin e sulmit ndaj një të moshuare.
Në anën tjetër, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka kërkuar që hetimet lidhur me këtë rast të thellohen.
/Shqip.com