Reagon Policia: Kidnapim klasik nga forcat serbe brenda territorit të Kosovës

Policia e Kosovës ka deklaruar se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe brenda territorit të Republikës së Kosovës. Zëdhënësi Baki Kelani, në një konferencë për media, ka thënë se tre policët janë rrëmbyer në mesditë derisa kanë qenë në detyrë zyrtare në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare.
Kelani ka theksuar se policët kanë qenë duke kryer detyrat zyrtare për parandalimin e kalimeve ilagale.
“Sot në mesditë në thellësi të territorit të Republikës së Kosovës, në zonën kufitare në veri të vendit dyshohet se njësitet speciale të Serbisë në formë të organizuar kanë kidnapuar tre zyrtarë kufitar patrulles. Dua ta theksoj se ka ndodhur një kidnapim klasik nga forcat serbe. Policia e Kosovës dëshiron të theksoj se njësia policore patrulluese e kufirit ka qenë me detyrë zyrtare në pikë statike në vendin e quajtur Tresave/Bare, pra thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës. Të njëjtit kanë qenë duke kryer detyrat e tyre zyrtare, që të parandalojnë kalimet ilegale, që të parandalojnë grupet kriminale të shfrytëzojnë rrugët ilegale në atë pjesë, që të parandalojnë grupet kriminale të kontrabandojnë dhe të shtijnë mallra të ndryshme në Kosovë, përfshirë edhe dyshimet për armatim në atë pjesë”, ka deklaruar ai, raporton KP.
Në këtë konferencë, Policia ka dhënë detaje edhe për vendin ku kanë qenë policët të cilët janë rrëmbyer nga forcat serbe.
“Këtu mund të na shfaqin edhe hartën se ku ka qenë njësia policore statike në atë pikë, në një lokacion të cilin e mbulon pothuajse përafërsisht dy vite. Fillimisht njësiti policor, në përbërje prej tre zyrtarëve kufitar kanë parë se në afërsi në atë lokacion kanë lëvizur apo qarkulluar persona të dyshuar, të maskuar dhe të armatosur. E që dyshohet të kenë qenë forca të njësiteve speciale të Serbisë. Dhe menjëherë njësitë policore me njësitë tjera kanë shkuar me asistencë në atë lokacion, ku me të arritur në atë lokacion kanë vërejtur vetëm automjetin zyrtar dhe jo edhe tre zyrtarët policor kufitar. Policia e Kosovës përveç dërgimit të njësiteve në terren ka njoftuar edhe të gjithë mekanizmat vendor dhe ndërkombëtar, ka njoftuar edhe KFOR-in, në mënyrë që të bëhet presion që zyrtarët policor të kthehen sa më parë dhe të lirohen të kthehen në Policinë e Kosovës”, ka shtuar ai.
/Shqip.com