Lajme Ballkan

Reagon Ministria e Mjedisit pasi u raportua se Greqia kërkon të marrë Syrin e Kaltër

Syri i Kaltër

Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit ka reaguar pas lajmeve të fundit se Korfuzi synon të furnizohet me ujë nga burimi i Syrit të Kaltër.

Ministria bën të ditur se nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm, raporton A2CNN.

“Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit, nisur nga disa lajme të përhapura në media të ndryshme mbi një propozim/memorandum teknik të supozuar të furnizimit me ujë me transferim burimi nga Syri i Kaltër drejt Korfuzit, sqaron:

Nuk ka asnjë marrëveshje të tillë dhe as nuk ka pasur diskutime për një projekt të ngjashëm sipas lajmit të përhapur nga mediat. Pretendimet e ngritura janë të pavërteta. 

Syri i Kaltër është një pasuri natyrore e Shqipërisë, i cili me vendimet e muajit janar 2022 ka marrë një status më të lartë mbrojtjeje, atë të “Parkut Natyror” me një sipërfaqe të rritur në 293 hektarë, për të mbrojtur më mirë Monumentin e Natyrës me të njëjtin emër, që mban brenda parkut”, mbyllet reagimi i Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Kryetari i Bashkisë së Korfuzit të Veriut, George Machimaris, ka ngritur çështjen e transferimit të ujit nga Shqipëria për të përballuar mungesën e pritshme të ujit në dekadat e ardhshme në ishullin e Korfuzit. Lajmi, i cili është publikuar në portalin grek ERT NEWS dhe mban datën 26 maj të këtij viti, i referohet deklaratës së Machimaris, që flet për një marrëveshje me Shqipërinë për transferimin e burimit të Syrit të kaltër drejt Greqisë.

“Duke marrë parasysh si zhvillimet ashtu edhe situatën aktuale në vitet në vijim, do të përballemi me krizën e ujit, një krizë që zvarritet me të njëjtat karakteristika për më shumë se 30 vite radhazi. Me ndjenjën e përgjegjësisë ndaj shoqërisë sonë, ndaj vizitorëve tanë, ne paraqesim një propozim/memorandum teknik të furnizimit me ujë me transferim burimi nga SYRI I KALTËR i Shqipërisë fqinje, duke marrë parasysh dhe duke shfrytëzuar përvojën e tubacionit nëndetësor që lidh ujësjellësin e Aeginës me EYDAP në Salaminë, përvojën e akumuluar të pushtetit vendor dhe studimet ekzistuese si ai i Politeknikut (1991), të cilat mund të përditësohen në të dhënat aktuale”, deklaroi Machimaris.

Syri i Kaltër

Fakte rreth Syrit të Kaltër

Syri i Kaltër është një vend turistik mjaft mbresëlënës i cili tërheq qindra vizitorë çdo vit.

Me rreth 2000 vizitorë në ditë, “Syri i Kaltër” është monumenti natyror më i rëndësishëm në aksin nacional Gjirokastër-Sarandë.

Burimi me formë ovale i rrethuar nga një kurorë e dendur bimësie dhe pemë qindravjeçare rrapi është burimi më i madh dhe më interesant mes 18 burimeve që burojnë prej rrëzës së Malit të Gjerë.

Nga burimi i kaltër me origjinë karstike nga Mali i Gjerë, buron ujë i kristaltë. Nga thellësia e burimit, uji merr ngjyrën e kaltër nën rrezet e diellit.

Është burimi më i madh dhe më interesant ndër 18 burimet që shpërthejnë rrëzë malit të gjerë.

Syri i Kaltër është shpallur monument natyre. Forma e tij është ovale e ngjashme me formën e një syri, shpërthen nga toka i errët në mes dhe i kaltër anash.

Thellësia e tij është tepër e madhe arrin deri në 45 m thellësi. Ndodhet përballë fshatit Krongj, 45 m nën nivelin e luginës së Drinos dhe është shkarkim kryesor i malit të gjerë.

Është burim me ujëra të freskëta dhe të ëmbla i rrethuar me bimësi të dendur dhe me gjelbërim të përhershëm./Shqip.com