Reagon Lista Serbe: Ndodhi ajo që uroi Kurti
Lista Serbe ka reaguar një ditë pas zhvillimeve në veri, derisa fajin për të gjitha zhvillimet atje ia ka faturuar kryeministrit Kurti.
“Prej më shumë se një viti, kemi paralajmëruar se regjimi në Prishtinë po ushtron presion mbi serbët dhe çdo ditë eskalon situatën dhe po provokon reagimin e popullit. Herë të panumërta i kërkuam KFOR-it që të vendosë forcat dhe të veprojë në mënyrë preventive, kërkuam nga bashkësia ndërkombëtare që ta përmbajë Kurtin por më kot. Fatkeqësisht ndodhi ajo që uroi Kurti”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
LS ka kërkuar hetim për siç ka thënë vrasjen e së paku dy serbëve që sipas kësaj partie janë bërë në gjakftohtësi ani se ata ishin dorëzuar.
Partia që ka pjesë të saj edhe kriminelin Radojqiç, ka pyetur bashkësinë ndërkombetare se pse sipas tyre nuk ka marrë pjesë EULEX-i në aksion por vetëm ‘policia e Kurtit’.
“Ju bëjmë thirrje të gjithëve për paqe dhe përmbajtje, sepse është e domosdoshme sa më parë të kthehet paqja në rrugët tona, në atë kuptim urgjentisht duhet që KFOR-i dhe Eulex-i të vendosen në veri dhe të parandalohet përshkallëzimi i mëtutjeshëm i situatës dhe të parandalohet keqpërdorimi politik i kësaj ngjarje të rëndë”, thuhet tutje në reagim.
Lista Serbe është kujdesur që në komunikatën e dërguar mediave, përpos ngushëllimeve ndaj familjes së policit të vrarë, të ngushëlloj edhe familjet e sulmuesve serb qu u vranë gjatë këtij aksioni.
/Shqip.com