Lajme

Reagon Haradinaj: Kjo pagë minimale është poshtërim e mashtrim në prag të zgjedhjeve

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj

Qeveria e Kosovës të mërkurën ka vendosur që paga minimale të rritet në 350 euro bruto.

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur poshtërim këtë pagë minimale.

“Ata që s’kanë preokupim tjetër përpos si të mbeten në pushtet, gjithmonë në prag të zgjedhjeve, dalin me mashtrimet e radhës për rritje pagash, ulje çmimesh, vende pune e lloj-lloj mrekullirash të tjera,” ka shkruar Haradinaj.

Ai thotë se në prag të zgjedhjeve, Qeveria për të mbetur në pushtet “po dalin me mashtrimet e radhës”.

Haradinaj thotë se paga minimale duhet të jetë 450 euro, ndërsa me qeverinë e re së paku 500.

“Në kuadër të një fushate për zgjedhje, Qeveria e VV-së, sot paska marrë vendim që të rritet paga minimale në 350 euro. Paga minimale qysh sot duhet të jetë 450 euro, e që në ditën e parë të qeverisë së re, më së paku 500 euro, natyrisht duke shënuar rritje të përvitshme, në bazë të rritjes ekonomike e inflacionit dhe në këtë pagë minimale duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e pensioneve.”

Teksa akuzoi kryeministrin Kurti që pagën minimale sot e konsideron “ndihmë sociale”.

“Vendet e rajonit, qysh moti e kanë kaluar pragun e pagës minimale prej 500 eurosh, ndërsa ky kryeministër, jo vetëm që është vonuar me rritje pagash për katër vjet, por edhe sot pagën minimale e konsideron ndihmë sociale.”

/Shqip.com