Reagon Bedri Hamza pasi VV publikoi video të tij teksa simpatizuesit gjuanin me armë për Sami Lushtakun

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza, i është përgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicë të cilët publikuan një video në të cilën Hamza shihet afër Sami Lushtakut, teksa simpatizuesit gjuanin me armë.
“Po Bedri, nëse fsheh krimin je pjesëmarrës në krim, sepse duhet me denoncuar krimin! Gjuajtja me armë në vende publike është krim dhe mos lajmërimi i rastit në polici është vepër penale, sipas paragrafit 1.9 – neni 378 të Kodit Penal të Kosovës”, thuhet në publikimin e videos nga VV.
Por, Hamza në një përgjigje, ka thënë se nuk ka qenë ai organizator i takimit, e as nuk ka përgjegjësi se çfarë ndodhë në takimet të cilat s’i organizon.
“Takimi as nuk ka ndodhur në Mitrovicë, as nuk ka qenë i organizuar nga ana ime dhe as nuk jam njeri që u duartrokas sendeve të caktuara, asnjëherë”.
“Nuk është ngjarje as që lidhet me ngjarjet aktuale as me Mitrovicën as për kandidaturën time për kryetar të Mitrovicës. Ajo video ka qenë publike e më thonë e kam lajmëru e s’e kam lajmëru, çka di unë, ku shkoj në tubim çka ndodhë, çka di unë për ato punë. Nuk është ngjarje që ka ndodhur me Mitrovicë dhe as nuk lidhet me fushatën aktuale”, ka thënë Hamza për Kallxo.com.
Përndryshe, në garën për Mitrovicë është edhe kryetari aktual, Agim Bahtiri nga VV dhe Armend Agolli i Lidhjes Demokratike e Kosovës. /Shqip.com