Lajme

Rasti i 53 milionëve: Lekaj dhe të tjerët para gjykatës më 20 prill

Pal Lekaj.

Gjykimi ndaj Ish-ministrit të Insfrastrukturës Pal Lekaj dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të kësaj ministrie, do të nis më 20 prill.

Pal Lekaj, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij,  Nebih Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) dhe Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale e Kosovës se me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë – Han i Elezit R6”, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, me ç’rast buxhetit të Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro, raportoi “Betimi për Drejtësi“ të hënën.

Në fakt, ky njihet si “Rasti i 53 milionëve”.

Lajmin për caktimin e seancës e ka konfirmuar gjykatësja e rastit, Violeta Namani.

Aktakuza e ngritur

Prokuroria Speciale, më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit, derisa më 19 shkurt, kjo prokurori njoftoi se lidhur me këtë rast, më 18 shkurt është ngritur aktakuzë edhe ndaj Besim Tahirit.

“Më 27 shtator 2017, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Infrastrukturës (MI) dhe si kryesues i Komitetit Ndërministror (KDNM) dhe Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje, edhe me të pandehurin Besim Tahiri – drejtor i Prokurimit Publik në MI, i cili tani për tani është i paqasshëm për prokurorinë, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, i kanë tejkaluar kompetencat dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’i shkaktojnë dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në dobi të personit tjetër”, thuhet në aktakuzën ngritur./Shqip.com