Raportuesi i Bundestagut për Ballkan: Të shtohen trupat e KFOR-it në Veri

Deputeti gjerman, Adis Ahmetovic, i cili është raportues i grupit parlamentar të SPD-së për Ballkanin Perëndimor, i ka quajtur të papërgjegjshme ngjarjet dhe sulmet e ndodhura së fundmi ndaj ushtarëve të KFOR-it dhe civilëve në veri të Kosovës.
Përmes një deklarate publike të martën, Ahetovic ka thënë se duhet të shqyrtohet mundësia që të shtohet numri i trupave të KFOR-it në Kosovë në hijen e situatës aktuale.
“Sulmet e djeshme gjithashtu bëjnë të qartë se KFOR-i është ende i nevojshëm pas 24 vitesh për të ofruar stabilitet dhe siguri. Një rritje në kontingjentin ekzistues të trupave duhet gjithashtu të shqyrtohet në dritën e situatës aktuale, në mënyrë që të jetë në gjendje të ndërhyjë më me vendosmëri në rast emergjence”, thuhet në deklaratën e deputetit gjerman.
Duke vepruar kështu, sipas tij misioni i KFOR-it është dhe mbetet i paanshëm në misionin e tij për demokraci dhe siguri si dhe “nuk njeh ngjyrën e lëkurës, fenë apo përkatësinë etnike”.
Ai po ashtu ka thënë se tensionet e ndodhura ditëve të fundit janë dëshmi e mëtejshme se të gjitha palët e përfshira më në fund duhet të kthehen në tryezën e bisedimeve.
/Shqip.com