Lajme

Raporti i Freedom House: Kosova ka përmirësime të lehta, por problemet vazhdojnë

Raporti i Freedom House: Kosova ka përmirësime të lehta, por problemet vazhdojnë
Raporti i Freedom House: Kosova ka përmirësime të lehta, por problemet vazhdojnë

Organizata Freedom House thotë se ndikimi i luftës në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, u ndje gjatë vitit të kaluar në 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen në raportin e saj “Vendet në Tranzicion”.

Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon”, kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”.

“Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.

Kosova shënoi një përmirësim të lehtë nga 3.25 vitin e kaluar në 3.29 këtë vit.

“Marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme. Përpjekje të jashtëzakonshme nga shoqëria civile e Kosovës për të realizuar ndryshime pozitive të politikave mbi dhunën me bazë gjinore dhe ndarjet etnike u lanë nën hije gjatë vitit nga një rritje e dhunës në Veriun me shumicë serbe, ku ndikimi dhe veprimet e qeverisë serbe, vazhdojnë të cenojnë autoritetin e Kosovës mbi territorin e saj”, thuhet në raport.

“Na ka bërë përshtypje të madhe roli që ka luajtur shoqëria civile në Kosovë gjatë vitit të fundit”, tha zonja Karppi, duke shtuar se ajo mund të luajë një rol aktiv edhe në zgjidhjen e situatës me Serbinë.

“Shohim se janë dy persona që e drejtojnë këtë proces: Kryeministri Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksandër. Mendoj se BE-ja mund të bëjë shumë më tepër që në drejtimin e këtyre negociatave të sjellë në procesin e negociatave të sjellë zërat e shoqërisë civile dhe perspektivën e qytetarëve të zakonshëm, veçanërisht atyre në Veri”, thotë zonja Karppi, raporton VOA.

Raporti përmend edhe mungesën e suksesit në negociatat mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit serb Aleksandar Vuçiç, me gjithë përpjekjet e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara.

/Shqip.com