Lajme

Haradinaj pritet të ftohet si dëshmitarë në gjykimin e Pal Lekajt për rastin e 53 milionë eurove

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Seanca për rastin e 53 milionëve ku është i përfshirë edhe Pal Lekaj gjatë ditës së sotme është shtyrë.

Avokati i Pal Lekaj për Shqip.com, Musa Damati ka treguar arsyet e shtyrjes së kësaj seance.

“Seanca e sotme është shtyrë dhe kjo për shkak të vendimit të KGjK-së që t’i bojkotojë të gjitha të seancat gjyqësore si konsekuencë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për ulje të pagave në sistemin e drejtësisë” ka thënë Damati.

Po ashtu Damati thotë se në kuadër të këtij procesi, është menduar të ftohet në cilësinë e dëshmitarit, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 4 maj të këtij viti, Lekaj dhe të tjerët ishin deklaruar të pa fajshëm për veprën penale që u vihet barre.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, ngriti aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatrit.

Në rastin e njohur si “53 milionët”, Lekaj akuzohet se ka fshehur raportin e kompanisë “Hill, e që kishte arsyetuar se borxhi prej 53 milionë eurosh ishte joreal dhe se Qeveria do të duhej të paguante 39 milionë euro më pak sesa i kërkoheshin.

Theksojmë se Qeveria e Kosovës kishte themeluar komitet ndërministror për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi”.

Anëtarët e këtij komiteti nuk ishin në dijeni të këtij raporti e asokohe Ministria e Infrastrukturës pati reaguar kundër raportimit duke e mohuar ekzistencën e raportit.

Ky raport nuk kishte shkuar zyrtarisht në Qeveri, por ishte ndalur në Ministrinë e Infrastrukturës e në mungesë të tij ishte aprovuar pagesa prej 53 milionë eurosh.

/Shqip.com