Lajme

Dyshimet për helmimin e qytetarëve në Deçan, Ramadani: S’kemi gjetur kontaminim të ujit

Naser Ramadani, Drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndeësisë Publike të Kosovës

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), Naser Ramadani, deklaroi të hënën se bazuar në analizat e para të kryera në Deçan qytetarët nuk janë helmuar nga uji i pijshëm, njofton Shqip.com.

Përmes një konference për media të thirrur nga Ministria e Shëndetësisë, Ramadani tha se në bashkëpunim me ministrinë nga mostrat e marra kanë nxjerrë rezultatet e dyta laboratorike, të cilat nuk konstatojnë se uji që vinte nga ujësjellësi rajonal i Deçanit është i kontaminuar.

I pari i IKSHPK-së shtoi se në mostrat e dy fshatrave, Granaqelë dhe Gllogjan janë shfaqur disa koloni të dyshimta e që sipas tij do të duhet të pritet analiza edhe për disa orë.

“Sot intensivisht, posa kemi marrë informatën, bashkë me Ministrin Arben Vitia jemi marrë me menaxhimin dhe gjetjen e shkaqeve të helmimit. Janë marrë gjashtë mostra të ujit në fshatrat respektive, në secilin fshat mostrat janë dërguar në laboratorin e higjienës në Pejë. Brenda 24 orëve të para, në dy mostrat që janë marrë në Gramaçel dhe Gllogjan shfaqen disa baktere të dyshimta. Mund të jetë edhe infeksion viral, por deri nuk mund të konstatojmë për ndonjë diagnozë”, potencoi Ramdani.

“Duke pasë parasysh se qytetarët janë ankuar me disa simptoma kryesore, që më së shumti janë të lidhura me zorrët dhe barkut, atëherë IKSHPK ka marrë rezultatet laboratorike dhe në bazë të asaj, ne do të konkludojmë se a ka pasur ndonjë infeksion. Për këtë, aktualisht nuk mund të themi asgjë, sepse analizat fiziko-kimike rezultojnë në rregull”, shtoi tutje drejtori i IKSHPK-së.

Rreth 800 banorë të Komunës së Deçanit kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në kësaj komune nën dyshimin për helmim me ujë të pijes./Shqip.com