Ramabaja: Serbia gjithë atë armatim nuk po e merr për turshi

Analisti politik Sadri Ramabaja armatosjen e Serbisë e sheh si rrezik për vendet e Ballkanit.
Sipas tij, më e rrezikuara në këtë situatë është Bosnja e Hercegovina.
“Serbia kohëve të fundit edhe publikisht ka marrë armatim super modern, qoftë prej Rusisë qoftë prej Kinës. Gjithë ai armatim nuk merret për turshi, pra përgatitet një betejë e ashpër e pozicionimit”, tha Ramabaja në T7.
Ndërsa sqaron se Serbia synon zgjerimin në perëndim, sepse në jug e ka të pamundur.
Së fundmi, Serbia ka pranuar disa armë nga Kina.
Më parë ajo është armatosur edhe nga Rusia dhe Bjellorusia.
Ditë më parë, shefi i komunikimit strategjik në Ministrinë e Mbrojtjes, kolonel Sefer Isufi në një intervistë për SHQIP.com kishte thënë se furnizimi i Serbisë me armatim ka qëllim “për të destabilizuar regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjërë”.
“Ardhja e kontigjentit të Kinës krahas atij Rus dhe Bjellorus në Serbi, kemi vlerësuar se është shqetësues për mjedisin e sigurisë në rajon dhe më gjërë e sidomos duke pasur parasysh qëndrimin zyrtar të Serbisë në relacion me Kosovën dhe qëndrimin zyrtar të saj në raport me Bosnje e Hercegovinën, pastaj Malin e Zi dhe kemi vlerësuar se armatimi i Serbisë me sisteme të ndryshme luftarake lë hapësirë për të cënuar mjedisin e sigurisë dhe për të destabilizuar regjionin e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë”, tha Isufi.
Ndërsa ka thënë se armatimi i Serbisë nga Rusia dhe Bjellorusia ka qenë i pritshëm dhe jo diçka e re. Por, shton se pranimi i armatimit nga Kina është i paspjegueshëm duke u bazuar në qëndrimin e saj për luftën në Ukrainë./Shqip.com