Lajme

E përditësuar / Rama: Vizita e Blinken tregon se Shqipëria është një vend i rëndësishëm për SHBA-në

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se vizita e sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken tregon se SHBA e konsideron Shqipërinë një vend të rëndësishëm dhe ka një konsideratë të veçantë për rolin e Shqipëria ka marrë përsipër të luajë në rajon.

Angazhimi i fundit në Këshillin e Sigurimit, ku Shqipëria ka marrë një falënderim jashtëzakonisht domethënës nga përfaqësuesja e Shtetit të Bashkuara, ambasadorja në atë tryezë për kontributin e veçantë. Sigurisht që kjo vizitë lidhet edhe me një besim shumë të fortë të aleatëve tanë strategjikë tek Shqipëria, tek pesha e Shqipërisë sot në rajon dhe patjetër edhe me një konsideratë të veçantë për rolin e Shqipëria ka marrë përsipër të luajë në rajon si një vend me dorën e shtrirë të miqësisë për të gjitha shijet e lagjes sonë Ballkanike në mes të Evropës”, tha Rama, transmeton ATV.

Tutje, ai tha se Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar.

Sot Shqipëria është ngjitur në një tjetër nivel në aspektin e pozicionimit dhe prezantimit të saj ndërkombëtar, falë edhe një sërë hapash shumë të rëndësishëm që ne kemi bërë në politikën tonë të jashtme, por edhe një sërë angazhimesh të paimagjinueshme, deri kur ka ndodhur, të Shqipërisë në tryezat më të rëndësishme të politikës ndërkombëtare”, tha Rama.

Tutje, Rama tha se sulmi i Banjskës ka qenë një kthesë e rrezikshme për bashkëjetesën e komunitetit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Nuk kemi qenë asnjëherë po mirë, edhe pse pa diskutim nuk jemi pa probleme dhe nuk është se nuk kemi parë edhe në të shkuarën e afërt kthesa të rrezikshme dhe ajo lidhur me Banjskën ka qenë një kthesë vërtet e rrezikshme. Ka qenë një moment vërtet shumë dramatik në bashkëjetesën e komunitetit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për të sjellin rast ne jemi shprehur në mënyrë shumë të qartë”, tha Rama.

Ai tha se nëse problemet nuk adresohen me dialog, mund të jenë jo vetëm të rrezikshme, por sipas tij edhe fatale.

Është e rëndësishme që të mos e humbasim fokusin se jemi më mirë se ndonjëherë, por gjithçka që është arritur mund të kthehet përmbys nëse ne e marrim për të mirëqenë dhe nuk i adresojmë me dialog, me konstruktivitet, me sensin e të ardhmes, ato probleme që potencialisht të përmbajnë edhe rreziqe pastaj, për kthesa që mund të jenë vetëm të rrezikshme, mund të jene edhe fatale”, tha Rama.

Në vazhdim të intervistës, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se Kosova duhet të dalë nga loja e Serbisë se kush e ka fajin.

Ai tha se Kosova duhet të tregohet e vetëdijshme për barrën e përgjegjësisë që ka si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare.

Thelbi i gabimit strategjik që bëjnë të gjithë ata që mendojnë se subjektiviteti ndërkombëtar i Kosovës dhe shtetnjohja përfundimtare e Kosovës do të vijnë përmes një procesi ku Kosova do bëjë garë me Serbinë se kush e ka më shumë fajin. Jo, në këndvështrimin tim dhe unë këtë e kam thënë gjithmonë, qasja jonë strategjike e shqiptarëve dhe në këtë rast flasim për Kosovën, por mendoj që kështu është edhe për Shqipërinë dhe kështu duhet të jetë për të gjithë shqiptarët, nuk është që të fajësojnë të tjerët, apo të hyjmë në lojën e fajësimit të njëri-tjetrit në sensin ‘jo shiko, dakord, ne jemi mbase këtë, po shiko ata’. Ne nuk kemi punë fare me ata, ne këto gjëra i bëjmë për veten tonë, e Kosova për veten e saj duhet të shkëlqejë në këtë proces. Kosova, për veten e saj duhet të tregojë ndërkombëtarisht një qenie e cila është plotësisht e vetëdijshme për barrën e flamurit që ka, për barrën e Kushtetutës që ka, për barrën e përgjegjësisë që ka, si një aktor i ri, si një anëtar i ri i bashkësisë ndërkombëtare. Nuk është Serbia etaloni dhe nuk është Serbia standardi dhe nuk është Serbia pika e referimit”, tha Rama.

Ai tha se po të ishte vetë në këtë proces, do t’i kishte përmbushur të gjitha detyrimet ndërkombëtare, ku më pas Serbinë do ua kishte lënë në dorë të tjerëve që të merreshin me të.

Unë e kam thënë kohë më parë, në rast se do të ishte për mua unë marrëveshjen do ta kisha firmosur në mënyrë të njëanshme, duke i përmbushur të gjitha detyrimet e mia në raport me këtë përpjekje për subjektivitet të plotë ndërkombëtar dhe duke ia lënë pastaj Serbinë në dorë tjerëve që të merreshin me të dhe jo të rrija unë e të merreshin me mua gjatë gjithë kohës, ‘pse e bën këtë, pse s’bën atë, e tjerë’”, tha Rama.

Sipas tij, Kosova nuk duhet të krahasohet fare me Serbinë, por që duhet të mendojë për gjeneratën tjetër.

Duhet të nxitojmë e të bëjë ç’është e mundur që të bëhet e denjët për gjeneratën tjetër si një shtet i njohur nga të tërë dhe për këtë mendoj që në politikën ndërkombëtare dhe në arenën ndërkombëtare, në kushtet e sotme, për vendet si ne, duke bërë të keqin, nuk fiton asgjë, dhe bërë të mirin, mund të fitosh diçka”, tha Rama.

Rama, po ashtu, ka thënë se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se e ka Shqipërinë, por sipas tij, sepse i ka edhe aleatët strategjik.

Shqipëria nuk është thjesht një entitet gjeografik apo një entitet shtetëror që ka lidhje speciale me Kosovën dhe çdo sulm mbi Kosovën, është sulm mbi Shqipërinë, por nga anën tjetër, mos të harrojmë asnjëherë dhe për këtë arsye duhet me i pasë parasysh të gjitha kur nganjëherë e kalojmë masën në raport me aleatët, se Kosova nuk është vetëm, jo thjesht se ka Shqipërinë, po sepse ka aleat strategjik, që i dimë fare mirë kush janë, pa të cilin Kosova s’do të ekzistonte sot si shtet dhe me të cilët Kosova mund t’i arrijë të gjitha ato që ne të gjithë duam që Kosova t’i arrijë. Kështu që, për këtë arsye duhet menduar çdo ditë për peshën dhe rëndësinë e aleatëve, edhe kur je në një paqe të plotë e jo më kur je në një proces si ky, kur ke nevojë për sa më shumë miq dhe kur të humbasësh miq apo të ftohësh zemrën e miqve është gjëja më e pakëshillueshme e mundshme”, tha Rama.

Ai thotë se, as që diskutohet që Shqipëria do t’i qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje.

As nuk diskutohet që Shqipëria ka qëndruar, qëndron dhe do të qëndrojë pranë Kosovës në çdo rast nevoje, nëse edhe, mos e dhëntë Zoti gjërat shkojnë në pikën ku në mes nuk është më fjala, po janë armët”, tha Rama.

/Shqip.com