Lajme

Rama tregon planet e tij si kryetar i Prishtinës pas 14 nëntorit

Kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Komunën e Prishtinës Përparim Rama, është deklaruar rreth planit, projekteve dhe synimeve që ai ka nëse zgjedhet kryetar i Prishtinës pas raundit të dytë të zgjedhjeve më 14 nëntor, njofton Shqip.com.

Mungesa e shkollave në disa lagje të kryeqytet dhe mbingarkesa me nxënës të shkollave në lagjet e tjera, është një nga problemet për të cilat Rama është deklaruar.

“Kemi paraparë shtatë shkolla brenda mandatit 4-vjeçar. Tri do të ndërtohen dy viteve, derisa tjerat gjatë dy viteve tjera të mandatit. Do të ndërtohen shkolla që i shërbejnë Qëndresës, Matit, Sofalisë, Kalabrisë, Kodrës së Trimave dhe Përroit të Njelmët. Janë këto shkolla që do të ndërtohen në mandatin tonë 4-vjeçar”, ka thënë ai për ‘Telegrafin’.

Një tjetër synim gjatë qeverisjes së tij me Prishtinën, Rama thotë se ka shndërrimin në shkolla me qëndrim tërë-ditor, së paku në gjysmën e shkollave.

“Kemi shkolla me dy ndërrime. Është shumë problem për prindërit që punojnë të menaxhojnë këtë situatë. Me mësim terë ditor fëmijët shkojnë në shkollë në orën 8:00 dhe e kryejnë në ora 16:00. Kurrikulës i shtohet sporti, programimi e aktivitete tjera”, tha ai.

Ai ka thënë se e kanë zgjidhjen e për fëmijët që shkojnë në çerdhe, meqë problemi qëndron në mundësitë e familjeve për të paguar ato, e që me të në krye të Prishtinës do të ketë subvencione.

“Ne kemi tetë çerdhe publike dhe tetë të tjera të lidhura me komunitet. Kemi njëkohësisht edhe 100 çerdhe tjera private. Pra nuk kemi problem me objektet fizike, problem është se familjet nuk kanë mundësi të paguajnë çerdhet që shkojnë 120 euro e më tepër”.

“Ne kemi zgjidhje për këtë. Familjet që marrin më pak 500 euro ne do t’i subvencionojmë me nga 70 euro për çdo fëmijë që dërgojnë në çerdhe. Kjo na del më lirë se të ndërtojmë çerdhe të reja dhe njëkohësisht mbështesim sektorin privat”, deklaroi ndër të tjera Rama. /Shqip.com