Lajme

Rama thotë se Vitia po e shfrytëzon Qeverinë për të krijuar pushtet

Arben Vitia dhe Përparim Rama.

Kandidati për kryetar të komunës së Prishtinës nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, thotë se kundërshtari i tij në këtë garë për kryeqytetin, Arben Vitia, në vend se të sjellë projekte konkrete për zgjidhjen e problemeve të Prishtinës, po tenton ta përdorë qeverinë për të krijuar pushtet, transmeton Shqip.com.

Kështu u shpreh ai të premten derisa ka shfaqur planet e tij për lagjen “Kodra e Trimave”, për të cilën thotë se do të angazhohet për rigjenerim të zonës që sipas tij do të fillojë me projektin e tullores që do të shndërrohet në muze të artit modern.

Në këtë pikë do të krijohet një parking nëntokësor me një platformë urbane që do të lidh “Kodrën e Trimave” me qendrën.

Rama kërkoi nga kryeministri Albin Kurti që ta përmirësojë mirëqenien qytetare dhe të mos humbë kohë me fushatën në përkrahje të rivalit të Ramës për Prishtinën, Arben Vitisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti me kandidatin e LVV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia

“Po shihet si mangësi totale e zotit Vitia, nuk ka konfidencë që të përballet drejtpërdrejtë me projekte konkrete për zgjidhjen e problemeve të Prishtinës, por po mundohet ta përdorë qeverinë që të krijojë pushtet”, u shpreh ai.

Derisa foli për koalicionet e mundshme në garën e 14 shkurtit, Rama tha se “do të qeverisim me njerëz profesional, me njerëz që kanë kapacitet menaxhues pa marrë parasysh çfarë partie politike ata i takojnë”.

Nga ana tjetër, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia, të premten nuk u mor me fushatë, pasi ishte i përfshirë në aktivitetet për shënimin e përvjetorit të vdekjes së Astrit Deharit. /Shqip.com