Lajme

Rama shkruan për Bregoviqin pas koncertit në Korçë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Këngëtari Goran Bregoviq, performoi mbrëmë në koncertin e paralajmëruar të Festivalit të birrës në Korçë, jozyrtarisht u tha se do të merrte pjesë edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, megjithatë aty nuk u pa, mirëpo ka reaguar rreth këtij eventi, njofton Shqip.com.

Me anë të një postimi në Facebook, të cilit i bashkëngjiti një video ku shihet Bregoviq teksa performoi, ai bëri krahasime me paraqitjet e Dua Lipës dhe pritshmëritë që bëhen nga ajo tek pala serbe, referuar qasjes së shqiptarëve që ngritën polemika rreth pjesëmarrjes në koncert të Goran Bregoviq.

Sipas Ramës askush nuk e dha asnjë provë të vetme për ta justifikuar “histerinë mesjetare” që shpërtheu kundër një muzikanti siç e quan ai “nga më të jashtëzakonshmit e Ballkanit”.

“Një gazetare e mirënjohur shqiptare e Kosovës, e cila respektohet ndërkombëtarisht dhe kontribuon për tribuna prestigjoze të shtypit botëror, e tha shumë troç se Goran Bregoviçi nuk ka asnjë lidhje, me asnjë prej të zezave që iu faturuan nga zjarrnxitës mendjefikur, sa në Prishtinë dhe sa në Tiranë”, ka shkruar Rama.

Por muzikanti i famshëm nga Sarajeva, me baba kroat, nënë serbe dhe grua muslimane boshnjake, u kthye në një “kriminel serb” që duhej djegur në zjarret e gushtit shqiptar, pavarësisht se as serb nuk është përveç të tjerash. Paçka se Bregoviçi nuk ka thënë asgjë kundër shqiptarëve, nuk i ka kënduar asfare masakrave të regjimit të Millosheviçit dhe nuk ka qenë gjëkundi mbështetës i atij regjimi as me fjalë as me vepra, e vërteta as që kishte rëndësi. Rëndësi kishte zjarri i politikës qorre, e cila krijon armiq, ushqehet armiqësisht dhe jeton për armiqësinë”.

Ai thotë se ishte një histeri fashiste, e turpshme për qytetarinë europiane të shqiptarëve, për historinë dhe për traditën po ashtu, e cila sipas tij, fatkeqësisht nuk dallonte aspak nga histeritë linçuese të grupeve fashiste kudo në botë.

“Ku ndryshojnë për shembull ata që në Serbi i hakërrehen me fjalorin më të ndyrë Dua Lipës në rrjetet e saj sociale, vetëm pse ajo është një shqiptare krenare e Kosovës, e cila del mbështjellë me të dy flamujt e shteteve tona, me ata që iu hakërryen me shqipen më të ulët në rrjetet tona sociale Goran Bregoviçit, duke e trajtuar si një kriminel lufte e duke i mveshur faje që ai nuk i ka bërë vetëm se ai këndon serbisht?”, pyeti më tej ai.

“Ndryshojnë vetëm në faktin se të parët shajnë e mallkojnë serbisht, ndërsa të dytët sharjet e mallkimet i lëshojnë në shqip. Të dyja palët i përkasin besnikërisht kategorisë së ulët njerëzore të urrejtësve të verbër, te cilës kjo botë i ka parë vetëm sherrin, kudo e kurdo që ajo ka arritur të imponojë mbi shoqërinë verbërinë e vet”, shkruan mes tjerash Kryeministri Rama. /Shqip.com