Ekonomi

Rama: Rritja e çmimeve në Vlorë, e palogjikshme, sivjet është rritur numri i turistëve nga Kosova

Rritja e çmimeve gjatë sezonit veror, kryesisht në bregdet, ka nxitur reagimin e Kryeministrit Edi Rama. Gjatë takimit të sotëm (17 korrik) me kryetarët e bashkive, Rama deklaroi se kjo rritje e çmimeve është e palogjikshme. Sipas tij, abuzimet evidentohen më tepër në Vlorë, pasi sikurse deklaroi kreu i qeverisë, Durrësi, Shëngjini dhe Velipoja kanë çmime stabël.

Rama u shpreh se para se të jetë tepër vonë, duhet të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme.

Kryeministri theksoi se është e padrejtë dhe e turpshme që të krijohet klimë absurde në një moment kur Shqipëria sapo ka hyrë në Champions Leaguen e Mesdheut.

“Rritja e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto shumë të lartë vitin tjetër. Po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë gjithë bota këtë sport. Para se të jetë vonë, duhet të komunikohet në mënyrë të vazhdueshme që çmimet të jenë të arsyeshme. Askush s’mund t’ua imponojë por ama është dhe çështje dijeje. Ideja që: meqë na thanë vjet që Shqipëria është shumë e lirë dhe ne po ja hedhim në erë të gjitha tavanet e arsyes së çmimeve është ide komplet e çmendur. Ndërkohë shihni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, stabël. Natyrisht vlonjatët janë molla e këtij sherri. Dihet ajo punë. Tani që Vlora është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese nga pikëpamja e asaj që përfaqëson, gropa në gjoksin e vlonjatëve do jetë një gropë ku do bien vetë. Do bien në gropën e gjoksit të tyre. Është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde kur në këtë moment kur kemi hyrë në Champions Leaguen e Mesdheut të fillojë të belbëzohet. E ka bërë Bullgaria dhe e ka paguar me vite të tëra, nuk ktheheshin dot aty ku ishin”, u shpreh Rama ndërsa u dha mesazhin e qartë bizneseve në Vlorë se “do të zbresim pak me këmbë në tokë. Nuk zbresin dot vlonjatët, por të paktën të zbresin deri në kat të dytë”.

Rama tutje është shprehur të mërkurën se është e ulët përpjekja për ta prezantuar se kosovarët s’po e vizitojnë Shqipërinë, duke theksuar se ka rritje edhe të turistëve turq dhe polakë.

“…Ka një sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin. Kam folur me kryetarët e bashkive, janë skandalizuar nga shumë video lajme komente të rreme të manipuluara… Përpjekje e ulët që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë, ndërkohë këtë vit ka 25% më shumë se vjet. Ka një rritje shumë të fortë të turistëve turq, polak”, është shprehur Rama.

/Shqip.com