Lajme

Rama për BBC rreth afganëve: Turp t’i lësh mysafirët në baltë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka thënë BBC-së se “është turp t’i lësh në baltë mysafirët”, kur është pyetur për strehimin e refugjatëve afganë.

Teksa fliste për vendimin e Tiranës që t’i përgjigjen pozitivisht kërkesës amerikane për pranimin e refugjatëve, Rama përmendi edhe historinë shqiptare të mikpritjes.

Ai theksoi se gjatë luftës së fundit në Kosovë kanë pranuar 500 mijë kosovarë.

Por, nuk harroi pa e theksuar ndihmën që Shqipëria i ka dhënë hebrenjve gjatë luftës së dytë botërore.

“Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që kishte më shumë hebrenj pas luftës se sa përpara luftës. Kemi këtë kod”, ka thënë Rama.

Kreu i ekzekutivit shqiptar, ka komentuar edhe deklaratat e krerëve të shteteve evropianë të cilët thonë se “emigrantët do t’i pranojnë në vite”.

“Unë nuk e di se çfarë nënkuptojnë vende të Bashkimit Evropian, kur thonë se do të marrin refugjatë afganë në vite. Duhet të jemi aty për ata që punuan për ne. Janë mijëra, duhet të jemi aty tani, jo në vite. Tani”, pohoi Rama.

Situata në Afganistan është tensionuar pasi forcat amerikane u larguan nga vendi ku qëndruan 20 vite.

Kjo ndikoi që talebanët ta marrin shpejt pushtetin.

Në ato rrethana, janë rritur shqetësimet se grupi militant do të persekutojë bashkëpunëtorët e Amerikës.

Talebanët gjatë një konference për media në Kabul, kanë thënë se “nuk do të jenë hakmarrës”. Por, vendet perëndimore po nguten që të evakuojnë shtetasit e tyre. /Shqip.com