Lajme

Rama: Neveri ta quash Haradinajn tradhtar. Kurtin e kam mik, por dobësoi Prishtinën në sytë e BE dhe SHBA!

Kryeministri Edi Rama në fjalën e mbajtur në seancën e posaçme për Kosovë në Kuvend i cilësoi të neveritshme sulmet ndaj Ramush Haradinajt në rrjetet sociale, pas publikimit të një video ku ai shihet duke trokitur gotat me përfaqësuesit e Listës serbe.

Rama u shpreh se vetëm në sajë të Haradinajt dhe komandantëve të tjerë të UÇK që kanë bërë luftën e vërtetë me Serbinë fashiste, ata që e etiketojnë sot tradhtar të kombit kanë këtë liri që po gëzojnë duke shpifur në rrjetet sociale, e cila është, siç tha, edhe e tepërt.

“Unë Albin Kurtin e kam mik, më shumë se Haradinaj me të cilin në një segment të caktuar të këtij rrugëtimi jam gjendur në një konflikt personal, kur ai ishte kryeministër. Ndërsa me Albinin nuk kam pasur kurrë asnjë problem personal, madje e kam kënaqësi të bisedoj me të, por me kryeministrin aktual kam divergjenca botëkuptimore, se si arrihet te qëllimi i përbashkët kombëtar.

Gjithashtu, fakti se me Ramushin kemi pasur krisje, nuk ka si më pengon të shpreh neverinë time më të madhe për një video propagandistike të porositur dhe të shpërndarë përmes tastierave të luftës civile dixhitale, ku Ramushi shfaqej duke trokitur gotat në një koktej me përfaqësuesit e Listës serbe. E dini si është puna, Ramush Haradinaj si çdo komandant tjetër që ka parë gjakun e vërtetë në fytyrën e shokëve të vrarë nga plumbat e Serbisë fashiste, dhe si çdo luftëtarë që ka fituar luftën me armë të vërteta, nuk ka si ta ketë problem të trokasë gotat me deputetë serbë të Kosovës në prani edhe të mediave, se mund të ishte në ambient privat dhe prapë të sulmohej me këto mjete mizerabël kineze duke u futur në rreth si tradhtar i kombit. Turpi i mbuloftë ata që sot e harrojnë se pa qindra mijëra Ramushët e UÇK s’do gëzonin lirinë e shprehjes deri në abuzim që kanë sot”, tha Rama.

Duke u ndalur sërish te Albin Kurti, kryeministri Edi Rama këtë herë e kritikoi atë duke thënë se dobësoi diplomatikisht Kosovën në sytë e BE-së dhe SHBA-së.

“Pozicioni i vetëdobësuar diplomatik i Kosovës në sytë e BE-së dhe SHBA-së si dhe vetëviktimimizimi diplomatik i Serbisë në ato sy falë dhuratave politike të marra bujarisht nga gabimet e Prishtinës zyrtare në procesin e dialogut e bëjnë jo të lehtë këtë përpjekje nga ana jonë“, tha Rama.

Madje Rama shkoi më tej duke thënë se Kurti po ‘sulmon’ qeverinë e Shqipërisë pikërisht për politikën e tij elektorale.

“Nuk bëmë një gjest konsumi të brendshëm elektoral sic janë prej kohësh tanimë, dhe e them me keqardhje, janë një sërë gjestesh të qeverisë në Prishtinë në raport me dialogun e normalizimit përfshirë dhe qeverisë sonë përmes zërava të dytë dhe të tretë, por mbajtëm një qëndrim parimor e politik në funksion të nxitjes së Bruksel për të siguruar një përçapje serioze për një qëndrim të unifikuar të 27 vendeve anëtare jo vetëm me qëndrimin e papranueshëm të Beogradit ndaj ngjarjes por dhe me masa kuptimplota në adresë të Serbisë dhe lidhur me çfarë vjen çfarë mund të vijë dhe nesër. Agresioni nxori thonjtë e krizës veriut të Kosovës e ia nguli më fort mu në fyt procesit të dialogut dhe normalizimit dhe shtetnjohjes përfundimtare të Kosovës”, tha Edi Rama.

/Shqip.com