Lajme

Rama në Forumin e Paqes në Paris: Të marrin fund vuajtjet e tmerrshme në Gaza – konflikti ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Forumin e Paqes në Paris një plan për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, në luftë prej 35 ditësh.

Me anë të një postimi në platformën “X” kryeministri Edi Rama ka përmbledhur shkurt qëndrimet e tij përpara liderve në konferencë.

Kreu i qeverisë shprehet se, bashkë me liderë të tjerë të botës, bien dakord se konflikti në Gaza sjell vetëm vuajtje dhe duhet t’i vijë fundi. 

Si një anëtar i dedikuar i NATO-s, Rama thotë se, vërehet një model shqetësues për të mbjellë konflikt dhe kaos në hemisferën veriore, përfshirë këtu edhe Ballkanin Perëndimor.

Në Forumin e Paqes të Parisit, pata mundësinë të takohesha me një sërë udhëheqësish e zyrtarësh të lartë. Për Gazën, të gjithë ramë dakord se konflikti dhe vuajtja e tmerrshme që ai po shkakton duhet të marrin fund. Si anëtarë të përkushtuar të NATO-s, shohim një model shqetësues, një këmbëngulje të mbrapshtë për të ndezur konflikte e mbjellë kaos në hemisferën veriore, përfshi Ballkanin Perëndimor. Këta agjentë kaosi duhen ndalur dhe duhen goditur. Për fat të keq, zgjatja e vuajtjeve të civilëve në Gaza, s’bën tjetër veçse ushqen ambiciet e Hamasit dhe agjentëve të tjerë të kaosit. Ndihem i inkurajuar nga përkushtimi i mikpritësit tonë këtu në Paris, Presidentit të Francës, Macron, i cili, të shtunën, më 10 nëntor, drejtoi një thirrje të fortë për armëpushim të menjëhershëm. Bie dakord me vlerësimin e Presidentit Macron se armëpushimi është edhe në të mirën e Izraelit. Si një vend i paqtë, me shumë besime fetare dhe një rini energjike, fundi i menjëhershëm i vuajtjes së civilëve qoftë të popullit palestinez, ashtu edhe atij izraelit dhe arritja e paqes së qëndrueshme midis këtyre dy kombeve është me interes strategjik për Shqipërinë. Unë do të vazhdoj të punoj për këtë bashkë me udhëheqës e zyrtarë të tjerë”, shkruan kryeministri në rrjetin social “X”.

Një thirrje të drejtpërdrejtë për ndaljen e bombardimeve izraelite në Gaza kishte edhe presidenti francez, Emmanuel Macron. Ai i kërkoi qeverisë së Tel Avivit të ndërpresë sulmet nga të cilat më së shumti po vriten foshnja dhe gra.

/Shqip.com