Rama mbërrin në Beograd për samitin e Ballkanit të Hapur, pritet nga Bernabiq

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka mbërritur në Beograd për samitin e radhës të Open Balkanit.
Përmes një video të ndarë në faqen e tij zyrtare në Facebook, Rama ka treguar se është pritur nga kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiq.
Para dy muajsh është mbajtur samiti dy ditor i Ballkanit të hapur në Ohër të Maqedonisë.
Pjesëmarrës në këtë takim kanë qenë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Serbisë Aleksandër Vuçiq, kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq si dhe Zoran Tegeltija nga Bosnja Hercegovinë.
Takimin e ka bojkoryar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili ia ka kthyer një letër ditë më parë homologut maqedonas duke treguar se Prishtina përkrah Procesin e Berlinit si iniciativë rajonale e jo “Ballkanin e Hapur”.
Në këtë samit, Rama ishte shprehur se “Ballkani i Hapur” garanton liritë jetike për zgjidhjen e konflikteve në kontinentin tonë.
Rama theksoi edhe një herë mbështetjen e tij për këtë nismë, në të cilën deri tani janë përfshirë vetëm Serbia dhe Maqedonia e Veriut, ndërsa Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova jo.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Ohër deklaroi se Ballkani i Hapur sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit dhe se ai nuk është zëvendësim i asgjëje, as për Bashkimin Evropian, por një iniciativë e veçantë e popujve ballkanikë.
Ai u tha gazetarëve përpara samitit të Ballkanit të Hapur se ishte iniciativa më e mirë në rajon në dekada dhe se nuk kishte nevojë të justifikohej nëse dikush do të bashkohej apo jo – “kush do, do, kush nuk do, nuk do”.
Ndërsa, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështetin iniciativën e “Ballkanit të Hapur”.
Kështu kishte thënë i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar gjatë fjalimit të tij nëpërmjet një videolidhjeje.
“SHBA-ja e përkrah Ballkanin e Hapur. Duhet punuar jo vetëm në bashkëpunim rajonal ekonomik, por edhe në bashkëpunim për integrim në struktura evropiane. Ka shumë iniciativa për krijimin e një integrimi ekonomik. Ballkani i Hapur është një nga këto iniciativa. E afron rajonin, promovon paqen e stabilitetin. Besojmë se kjo nëse ka sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë. Secila iniciativë për integrim ekonomik, duhet të përfshijë të gjitha 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, tha Escobar.
Escobar ka vlerësuar se Ballkani Perëndimor ka rritje të madhe ekonomike, ndërsa ka potencial të jetë qendër e energjisë ripërtëritëse, qendër e gazit natyror, e të ndihmojë Evropën të lirohet nga varshmëria nga gazi rus.
“Ballkanin e Hapur” e ka quajtur iniciativë shumë të mirë, ndërsa ka propozuar që të ketë bashkëpunim edhe me iniciativa tjera që ekzistojnë në rajon./Shqip.com