Lajme

Rama: Kush vendos çmim ndryshe nga ai që caktohet, humbet pikën e karburantit

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama njoftoi këtë të premte, në takimin me furnizuesit e hidrokarbureve se do të ngrihet Bordi Kombëtar i Furnizimit me Karburant.

Sipas tij, bordi i posaçëm do të kryejë monitorime dhe do të marrë masa për moslejimin e abuzimeve me çmimin e karburanteve. Bordi do t’i caktojë çmimet e karburanteve.

“Na bëni me dije 5 përfaqësues për bordin kombëtar të furnizimit me karburant. Çdo ditë, bordi do të mblidhet me ‘Zoom’ (takim online) dhe të gjithëve në fund do t’u jepet çmimi që do të shfaqet në tabelë ditën e nesërme nga bordi. Nëse vendos një çmim ndryshe, do të humbasë pikën e karburantit”, tha Rama.

Ka kërkuar nga pronarët që në këtë krizë të tregohen më bujarë sepse populli shqiptar ka nevojë që të mos ketë ngritje të çmimeve. “

“Do të mbani pjesën tuaj se nuk mund të ndodhi që të fitoni asgjë më shumë seç ju duhet që të vazhdoni të furnizoni popullin shqiptar dhe në këto kushte brenda 24 orësh do kalojmë një akt normativ dhe qeveria do hyjë në administrimin e furnizimit bashkë me ju, përmes një bordi kombëtar të furnizimit me karburant dhe çdo ditë ju dhe qeveria dhe nuk do ketë asnjë çmim të pa miratuar nga bordi, kush do e bëjë do humbasë pikën e karburantit”, u tha Rama furnizuesve.

Ndërsa ministrja e Energjisë Belinda Balluku u kërkoi furnizuesve të naftës të kontrollojnë nëse kanë gjendje rezervën e sigurisë së naftës, siç e parashikon ligji.
Ndryshe në Shqipëri ka pasur protesta kundër shtrenjtimit të çmimeve të karburanteve ku edhe ka pasur arrestime. /Shqip.com