Rama kërkon dënimin më ekstrem për vrasësin e 8-vjeçarit në Fier

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një konferencë për media, mëngjesin e së mërkurës reagoi lidhur me ngjarjen në Fier, ku një 8-vjeçar u vra nga fqinji i tij.
“Vendimi më ekstrem duhet të merret për autorin”, tha Rama, duke i bërë thirrje drejtësisë të jetë e shpejtë dhe në lartësinë e saj.
Sipas tij, edhe pse nuk e bën të lehtë peshën e kësaj humbje, ajo që pritet me padurim nga të gjithë është verdikti më ekstrem i drejtësisë “mbi barbarin i cili falë reagimit të menjëhershëm nga Policia e Shtetit gjendet sot prapa hekurave”.
I pyetur për rikthimin e dënimit me vdekje, kryeministri u shpreh se kjo çështje është adresuar kohë më parë si çështje e civilizimit tonë.
“Dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme ngjarjet e tilla”, tha Rama.
Të martën e 16 nëntorit në Fier, një fëmijë është gjetur i pajetë. Në lidhje me ngjarjen është arrestuar nga Policia e Fierit, K.Ç, pasi dyshohet se është personi që ka rrëmbyer dhe më pas ka vrarë të miturin 8-vjeçar.
Sipas TCH, 38-vjeçari është fqinj me familjen e viktimës dhe është beqar. Ai jeton i vetëm në shtëpinë e tij pasi babanë dhe vëllanë e ka në burg në Greqi, ndërsa e ëma jeton në Maqedoni.
Gjatë së martës, 8-vjeçari është parë nga banorët e lagjes duke bërë xhiro me biçikletën e të dyshuarit. Kjo ka hedhur dyshime të policia, e cila menjëherë ka nisur hetimet.
Më vonë arritur të ndalohet 38-vjeçari, i cili sipas mediave vendore, e ka pranuar vrasjen./SHQIP.com