Rama falënderon shqiptarët e diasporës: E bëtë fitoren më domethënëse

Teksa po shkon drejt përfundimit edhe procesi i numërimit të votave të diasporës, kryesisht atyre të ardhura nga Greqia, kryeministri Edi Rama ka falënderuar mëngjesin të gjithë shqiptarët që votuan për herë të parë nga jashtë vendit.
Në një postim në rrjetet sociale kryesocialisti thotë se shqiptarët e diasporës e bënë fitoren në këto zgjedhje më domethënëse. Ai premton se do jenë më të përkushtuar për Shqipërinë 2030.
“Mirëmëngjes dhe me një falënderim krejt të posaçëm, për shqiptarët që nga Greqia, Italia, Amerika, e çdo anë e Europës dhe botës që iu bashkuan trenit të fitores duke e bërë atë edhe më domethënëse, jo thjesht për nga numrat, po në radhë të parë për nga mesazhi i fuqishëm i shumicës së tyre dërrmuese, i cili do të na bëjë edhe më të përkushtuar për Shqipërinë 2030 në BE, ju uroj një ditë të mbarë!” shkruan Rama, krahas videos shoqëruese nga takimet që zhvilloi me diasporën.
Partia Socialiste ka siguruar deri tani 83 mandate, ndërsa Partia Demokratike mori 50 mandate. PSD 3 mandate, Partia Mundësia mori dy mandate dhe Nisma Shqipëria Bëhet vetëm 1 mandat.
/Shqip.com