Lajme

Rama: Abetaren do ta shpërndajmë edhe në zonën që e ka merak vetë Albini, të diasporës

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë fjalimit të tij në mbledhjen e dy qeverive njoftoi se ka përfunduar faza e parë e grupit të përbashkët për abetaren e unifikuar.

Ai tha se kjo abetare do të shpërndahet te të gjithë nxënësit shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Serbi dhe diasporë.

“Është këtu vendi i duhur për ta thënë se ka përfunduar faza e parë e punës së grupit të përbashkët për abetaren e unifikuar dhe kemi fituesin. Puna për fazën e dytë të zbatimit vazhdon dhe jam shumë, shumë i lumtur që do të kemi mundësinë së bashku me Albinin që të dorëzojmë abetaret e unifikuara. Ndërkohë që ne kemi folur edhe me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kemi folur edhe me kryeministrin e Malit të Zi dhe do të flasim edhe me autoritetet në Serbi që kjo abetare e unifikuar të shkojë te të gjithë shqiptarët, familjet dhe fëmijët shqiptarë. Plus edhe në zonën tjetër që e ka merak vetë Albini, të diasporës. Aty e kemi të sigurt që do të kemi një shpërndarje kudo që na kërkohet”, tha Rama.

Mbledhja e qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Historiku i mbledhjes të dy qeverive:

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë ka një histori 7 vjeçare.

Gjatë këtyre viteve janë firmosur 86 marrëveshje, memorandume dhe protokolle bashkëpunimi, ku shumica e tyre janë të pazbatuara.

Mbledhja e parë u mbajt më 11 janar 2014 në Prizren, ku kryeministrat e Shqipërisë dhe Kosovës, Edi Rama dhe Hashim Thaçi e cilësuan këtë ngjarje si historike për të dy vendet dhe nënshkruan deklaratën për partneritet strategjik.

Pas Thaçit do të ishte ish-kryeministri Isa Mustafa qe do të vinte në Tiranë dhe së bashku me Ramën në mbledhjen e 23 marsit 2015 do të nënshkruanin 5 marrëveshje, 4 memorandume  dhe 2 protokolle bashkëpunimi.

Mbledhja e Qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë 2021

Tradita vazhdoi edhe më 3 qershor 2016 në Prishtinë, ku ish kryeministri Mustafa ishte mikpritësi.

Më pas, me moton “Një tokë, një popull, një ëndërr” mbledhja e 4-të e dy qeverive u mbajt ne Korçë më 27 nëntor 2017 ku në krah të kryeministrit Rama qëndronte kryeministri Ramush Haradinaj.

Një vit më vonë të njëjtit kryeministra mbledhjen e vazhduan më 26 nëntor në qytetin e Pejës.

Nën sloganin “Bashkë pa kufij, në një rajon pa kufij” u mbajt mbledhja e gjashtë më 2 tetor 2020 ne Tiranë, ku kryeministër i Kosovës ishte Avdulla Hoti.

Vetëm pas 7 viteve takime dhe mbledhje, me vendimin e së mërkurës të qeverisë shqiptare një shtetas nga Kosova mund të marrë lejen e qëndrimit vetëm me një aplikim për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe lejen e punës.

Ndërsa në Kosovë, që prej qershorit të 2021-tës qeveria ka vendosur heqjen e leje qëndrimit të përkohshëm për qytetarët shqiptarë. Po ashtu, është rënë dakord që qytetarëve të dy vendeve do t’u njihen periudhat e sigurimit dhe të kontributeve.

Pjesa më e madhe e marrëveshjeve të nënshkruara janë në fushën e tregtisë.

Për shkak të moszbatimit të një pjese të marrëveshjeve të firmosura, dy qeveritë kanë ngritur edhe një sekretariat koordinues ndërqeveritar./Shqip.com