Rakiq: Bllokimi i formimit të Asociacionit nuk çon në progres

“Formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë është me rëndësi jetike për popullin serb”.
Kështu është thënë të enjten në takimin që ministri për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq dhe kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviq, kanë zhvilluar me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog.
Siç njoftoi Ministria për Komunitete dhe Kthim, Rakiq dhe Radojeviq kanë theksuar se “bllokimi i procesit të formimit të Asociacionit nuk çon në ndonjë progres”, shkruan Kosovo-Online, transmeton Shqip.com.

Sipas tyre, është e rëndësishme që vazhdimisht të punohet në krijimin e kushteve më të mira të jetesës në Kosovë dhe se për serbët, Asociacioni është mekanizmi primar për këtë.
Gjatë këtij takimi të mbajtur në Prishtinë, është diskutuar edhe për investimet e reja në zonat ku jetojnë komunitetet pakicë, si dhe për fondin zhvillimor për veriun e Kosovës dhe rëndësinë e tij.
Gjithashtu bëhet e ditur se është biseduar edhe për procesin e kthimit, si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë./SHQIP.com