Lajme

Raka flet për variantin e ri të COVID-19: Të fillohet sa më shpejt me dhënien e dozave përforcuese

Mikrobiologu kosovar, Lul Raka

Vaksinim, dhënie e dozave përforcuese, zbatim i masave dhe fuqizim i inspektimit të tyre – janë mënyra që sipas mikrobiologut Lul Raka Kosova mund të mbrohet nga virusi i ri i COVID-19.

Shkencëtarët e Afrikës së Jugut kanë identifikuar një variant të ri të Coronavirusit me emrin Omicron, i cili ndonëse në Kosovë ende nuk është shfaqur, sipas infektologëve dhe ekspertëve, rrezikon të paraqitet në vazhdim.

Lexo edhe:
Ibrahimi nga AKK: Nuk e kundërshtojmë rishqyrtimin e masave në fuqi

Ndaj, Raka u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen, pasi “duke u vaksinuar do të merrni linjën e parë të mbrojtjes kritike ndaj virusit dhe do të rritet imuniteti në popullatë”.

“Rritja e sasive të përgjithshme të antitrupave (pas dozave të dyta dhe të treta përforcuese) mund të kompensojë mospërputhjen eventuale ndërmjet vaksinës dhe virusit” ka shkruar ai në Facebook.

Ka kërkuar që sa më shpejtë të fillohet me dhënien e dozave përforcuese në Kosovë, duke filluar prej grupeve më të rrezikuara.

Për t’u mbrojtur nga ky mutacion i virusit, Raka ka theksuar se e rëndësishme është edhe zbatimi i masave pa panikë.

Sipas tij, reagimi në panikë do ta përkeqësojë gjendjen edhe tek popullata edhe tek vendimmarrësit.

“Populli duhet t’i zbatojë masat parandaluese (distancimi social, mbajtja e maskave në ambiente të mbyllura, shmangia e qëndrimit në ambiente të mbipopulluara, ajrosja e mjediseve të qëndrimit ditor dhe larja e duarve)”.

Kurse, vendimmarrësit ka thënë se duhet të fuqizojnë inspektimet e zbatimit të masave parandaluese dhe vendimeve në terren (përfshirë hyrjet në kufi), sidomos gjatë këtij muaji me festat e fundvitit.

“Në nivel global, duhet t’u dërgohen vaksina atyre shteteve që kanë më së shumti nevojë.  Kompanitë që kanë prodhuar ARN-vaksina, brenda 2-3 muajsh mund të kenë variante të reja të vaksinave të drejtuara specifikisht kundër varianit të ri Omikron”.

Por, çka është varianti Omicron?

OBSH: Varianti Omicron paraqet një rrezik shumë të lartë globalisht -  KosovaPress

Ky variant, sipas infektologut Raka, ka një numër jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve krahasuar me variantet e mëparme.

“Mbi 30 mutacione vetëm në proteinën xhembore. Këto proteina janë çelës i virusit për të hyrë në qelizat e trupit tonë dhe njëkohësisht janë shënjestra kryesore e përgatitjes së vaksinave kundër COVID-19”.

“Ndryshimet e tilla masive të virusit kanë ngritur shqetësime se sa mund të ndikojnë ato në përhapje, pasqyrën klinike dhe uljen e efikasitetit të vaksinave përmes mbrojtjes nga antitrupat. Megjithatë, në mbrojtjen ndaj virusit ndikim të rëndësishëm ka edhe imuniteti qelizor”.

Ka shtuar se varianti i ri ka nxjerrë në pah tri pyetje që kërkojnë përgjigje shumë të shpejtë: Sa është i transmetueshëm varianti i ri? A përhapet më shpejt sesa varianti delta? A ka pasqyrë më të rëndë klinike? A janë antitrupat pas vaksinimit efikas dhe sa është rreziku i reinfektimit?

Aktualisht, ka thënë se nuk ka përgjigje të sakta për këto pyetje dhe se “ato kërkojnë të presim së paku edhe 2-3 javë”./SHQIP.com