Raka bën thirrje për vaksinim: Varianti Delta i COVID-19 ka afër 56 nënvariante

Mikrobiologu Lul Raka u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër Coronavirusit, derisa ka thënë se variant Delta ka afër 56 nënvariante.
“Delta Plus” siç ka thënë Raka, është vetëm njëri prej tyre.
Më tej, ka shtuar se deri në fund të pandemisë, bota do të njohë edhe variante të tjera, “sepse mutacionet që ndodhin në viruse janë fenomen normal në biologjinë e tyre”.
“Nuk ka nevojë për panik nga nënvarianti i ri, sepse armën më efikase të përballjes me të e kemi në duart tona – Vaksinën! Atë thjesht duhet ta shfrytëzojmë!”, ka shkruar Raka në Facebook.

Sipas tij, vaksina është efikase edhe ndaj këtij nënvarianti për të ulur rrezikun e vdekjes, sëmundjes së rëndë apo shtrimit në spital.
“Në Kosovë, 93% e personave të shtrirë në spital nuk kanë qenë të vaksinuar! Prej fillimit të pandemisë i kemi mësuar masat për parandalim, kontroll dhe inspektim ndaj Covid-19, por shpesh nuk i kemi zbatuar në praktikë”.
“Në kohën e rritjes së numrit të rasteve dhe vdekjeve kudo përreth nesh, të gjithë ata që ende nuk janë vaksinuar, tash është koha më e mirë për vaksinim. Sot, stoqet me vaksina janë plot; nuk keni nevojë për termin dhe mund ta merrni vaksinën kudo”, ka përfunduar Raka./SHQIP.com