Radoniq: Në takim me Osmanin diskutuam për shtyrjen e zgjedhjeve

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniq, ka konfirmuar se në takimin e zhvilluar me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, është diskutuar çështja e shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që pritet të mbahen më 17 tetor.
Po ashtu është diskutuar edhe për shkurtimin e fushatës, por kjo nuk është në kompetencën time, ka thënë Radoniq në mbledhjen e KQZ-së të mbajtur të hënën.
I pyetur nga anëtarët e komisionit, ai ka treguar në detaje për takimin që ka zhvilluar me Osmanin.
“Takimi ka qenë zyrtar dhe ka qenë i kërkuar nga unë, qëllimi i takimit ka qenë për staf të sekretariatit, ne kemi marr vendim prej ish-ministrit Veliu që aneksi i kësaj i jepet KQZ-së për nevojat e stafit, ne kemi komunikuar me ministrinë e MPB-së, por që s’kemi marr përgjigje, qëllimi im ka qenë që të ketë një komunikim me ministrin, sepse i kemi kushtet e pa volitshme”.
“Çështje tjetër ka qenë nevoja për m’i vaksinua stafin që do të punojnë në ditën e zgjedhjeve. Është ngrit edhe çështja e shtyrjes dhe zvogëlimi të fushatës zgjedhore por unë nuk jam pyetur, kërkesë nuk kemi për shkurtim të fushatës. Sa i përket shtyrjes ajo nuk është në kompetencën time as të KQZ-së dhe nuk e parasheh ligji këtë çështje”, është shprehur Radoniq.
Për shkak të situatës së rënduar me pandeminë COVID-19 në vend, ditë më parë kryeparlamentari Glauk Konjufca ka deklaruar se zgjedhjet lokale duhet të shtyhen. Kundër kësaj ideje kanë dalë partitë opozitare të cilat kanë thënë se janë pro shkurtimit të fushatës, por jo edhe shtyrjes së zgjedhjeve. Sipas tyre, VV-ja po i “frikësohet rezultatit” ndaj po kërkon të shtyhen zgjedhjet.
Takimi i presidentes Osmani me përfaqësues të partive politike, vjen pas letrës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), që ka rekomanduar mosmbajtjen e zgjedhjeve lokale.
Sipas letrës së IKSHPK-së, mbajtja e zgjedhjeve do të ndikonte në rritjen e rasteve me coronavirus e për pasojë do të rriste edhe rrezikun e rritjes së rasteve të vdekjeve./SHQIP.com