Lajme

QKUK: 23-vjeçarja nga Drenasi vdiq nga gjakderdhja në bark

Klinika Emergjente e QKUK-së

Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, ka dalë me një sqarim publik lidhur me vdekjen e një 23-vjeçare nga Drenasi, dy ditë pasi ishte vaksinuar kundër COVID-19.

Sipas kësaj klinike, “Diagnoza përfundimtare e vdekjes ishte hemorragjia intraabdominale (gjakderdhje në bark), shok hemorragjik”.

Lexo edhe:
Familja nga Drenasi dyshojnë se vaksina anti-COVID’19 ua mbyti vajzën

Përmes një komunikate për media, nga Emergjenca thonë se pacientja është sjellë në klinikë, me humbje të vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar, ku më pas nuk ka arritur të mbijetonte.

“Klinika Emergjente e Qendrës Klinike Universitare e Kosovës, në lidhje me lajmet e publikuara për vdekjen e Z. I (1998), nga fshati Zabel i Drenasit, sqaron se, pacientja vjen në Klinikën Emergjente në QKUK në ora 16:30, të datës 15 shtator 2021, me autoambulancë nga Qendra e Mjekësisë Urgjente në Prishtinë, për shkak të humbjes së vetëdijes, me bebëza të zgjeruara, pa tension arterial, pa puls periferik, me frymëmarrje të vështirësuar”.

“Menjëherë mjekët dhe stafi shëndetësorë ka ndërmarrë masat reanimatore, pacientes i bëhen analizat laboratorike, radiologjike dhe konsulencat tjera mjekësore. Përkundër përpjekjeve maksimale nga stafi i Klinikën Emergjente, pacientja nuk arriti të mbijetonte, vdekja konstatohet në ora 17:45”, thuhet në reagimin e QKUK-së.

Siç njofton Klinika Emergjente, familjarët kanë refuzuar obduksionin.

Një familjar i 23-vjeçares në rrjete sociale ka njoftuar se ajo ka vdekur 48 orë pasi mori dozën e parë të vaksinës antiCOVID. Ai publikuar foton e kartelës ku shihet se e ndjera ka marrë vaksinën Pfizer, teksa ka thënë se shkaktar për vdekjen e saj është pikërisht vaksina që ka marrë./SHQIP.com