OP-ED Kolumne

Qeveria po dështon t’i bind të rinjtë se në Kosovë ka të ardhme!

Xhevdet Pozhari
Xhevdet Pozhari

Gazetar / Analist

Publikuar:

Viti 2022. Brezat që kanë lindur pas luftës, tashmë janë të diplomuar ose kanë zgjedhur profesionin e tyre. Fatkeqësisht, numri i lartë i papunësisë nuk është shpresëdhënës për të ardhmen e tyre. Në sektorin privat thonë se punë ka por nuk ka të interesuar, mbase kështu përpiqen ta fshehin të vërtetën se ata duan “skllav modern” që do të punojë për një pagë me të cilën nuk mund ta mbajë as vetveten e lëre më familjen.

Pasiguria e një të riu nuk ka se si mos të thellohet kur që nga momenti i shpalljes së pavarësisë (2008), një i lindur pas luftës mesatarisht duhet të ketë 8-9 vjeç. Dhe, nga ky çast i leximit të deklaratës së pavarësisë dhe deri më tani, duhet ta ketë dëgjuar refrenin e stërpërsëritur “dialog, negociata, marrëveshje…”
Në secilin dështim të përpjekjeve për të arritur një marrëveshje të zbatueshme, nga pushtetarët ka dëgjuar edhe paralajmërimet për destabilizim, luftë.

Me një zhurmë që imponon njëtrajtshmëri mendimi, i riu i ditëve të sotshme nuk është larg mendsh se Kosovën e sheh si një vend ku assesi të tërhiqet mjegulla që buron nga po ajo tavolinë e diskutimeve. Vetëm aktorët dhe dekori ndryshojnë. Tematika mbetet e njëjtë, vetëm se koha shpenzohet pakthyeshëm.

Që ky lloj “teatri politik” të jetë edhe më bindës, tashmë fiken edhe dritat. Thonë se bëhet për të kursyer. Arsyetimet nuk mungojnë, sa i hidhet faji qeverive të mëparshme, sa krizës globale. Mjegulla bëhet edhe më e dendur në terr, e bashkë me këtë dëshira e të riut për ta braktisur këtë vend edhe më e papërmbajtur.

Është viti 2022. Një i ri i lindur në vitin 1999 tashmë është 23 vjeç. Më shumë se gjysma e jetës i ka kaluar duke e dëgjuar fjalën “dialog”. Dialog për të mos u marrë vesh për asgjë!

Përfituesit e vetëm mbeten politikanët të cilët trumbetojnë sukseset e padukshme dhe akuzojnë të tjerët për dështimet. Një i ri e e ndjen se koha po i kalon. Se pushtetarët njëri pas tjetrin ua grabisin më të çmueshmën që ka rinia – kohën. Ajo rrjedh vrullshëm, njëjtë si këto 23 vitet e pasluftës kur rinoshët e dikurshëm tashmë janë zbardhur.

Në thinjat e tyre mund të lexosh pritjen, pasigurinë dhe pendimin se pse besuan se ky shtet do të bëhet! Dhe, i riu i sotshëm mund të jetë i thinjuri i radhës nëse do të vazhdoj të pres fatin t’ia përcaktojnë ata që dinë të arsyetohej, por jo edhe të tregojnë se si do ta ndërtojnë shtetin.

Se cila është sakrifica kolektive që na kërkohet veçanërisht kur jetojmë në një shtet ku shumëçka është vënë mbrapshtë dhe paradoksi qëndron në atë se akuzuesit më të ashpër të sotshëm janë shkatërruesit e deri djeshëm!

Është viti 2022. Sot një të riu i duhet një arsye e fortë për të qëndruar. Dhe, Qeveria e tanishme deri tani ka dështuar t’i bindë se këtu ka të ardhme.

*Qëndrimet e autorit nuk paraqesin domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë./Shqip.com

/Shqip.com